KSHZ i dorëzon certifikatën për president të shtetit Pendarovskit

Mos i humb

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSZH) i Maqedonisë së Veriut sot në mbledhje i dorëzoi certifikatën për president të vendit Stevo Pendarovskit.

Duke iu drejtuar mediave pas marrjes së certifikatës nga KSHZ, Pendarovski falënderoi institucionin zgjedhor dhe të gjitha institucionet tjera në vend që morën pjesë në procesin zgjedhor, për të cilët siç tha, treguan profesionalizëm të nivelit të lartë.

Pendarovski e vlerësoi procesin zgjedhor të suksesshëm për vendin.

“Jam veçanërisht i kënaqur që në fund të procesit zgjedhor, i cili nga të gjithë, por edhe nga Misioni i OSBE/ODIHR-së, mori vlerësime pozitive. Për herë të parë nëse nuk gaboj, nga vitet e 90-ta e këtej të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor në fund njohën rezultatin, që ndodh pas 25 vitesh në vend. Kjo është porosi jashtëzakonisht e mirë për ne si një vend që mund në prag të samitit të ardhshëm të BE-së të themi se edhe në këtë drejtim kemi punuar ashtu siç i ngjan një vendi që dëshiron të fillojë negociatat me BE-në”, deklaroi Pendarovski.

Ai shtoi se Maqedonia e Veriut mori raportin më pozitiv nga OSBE/ODIHR, me të cilën, sipas tij, vendi dëshmoi se mund t’i sillet në mënyrë evropiane dhe institucionet të jenë profesionale dhe jopartiake.

I pyetur nga gazetarët në lidhje me ligjet e panënshkruara nga presidenti i deritanishëm, Gjorge Ivanov, Pendarovski theksoi se do të përpiqet t’i nënshkruajë ato në ditët e para të tij në detyrë.

Gjatë ditës së nesërme, Pendarovski do të inaugurohet në mbledhjen e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, me çka zyrtarisht do ta fillojë mandatin 5-vjeçar.

Në inaugurimin e tij, Pendarovski do të adresohet me deklaratën solemne para të zgjedhurve të popullit, anëtarëve të Qeverisë, krerëve fetarë, njerëzve të parë të armatës, korit diplomatik dhe mysafirëve nga jashtë.

Pendarovski u mbështet nga Lidhja Social Demokratike e Maqedonisë (LSDM) dhe koalicioni. Ai në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale fitoi 436.212 vota apo 51,66 për qind të votave të qytetarëve që dolën në votim.

Ai do të jetë presidenti i pestë i shtetit që nga pavarësia. Kiro Gligorov ishte presidenti i parë i shtetit, duke u pasuar nga Boris Trajkovski, Branko Crvenkovski dhe Gjorge Ivanov.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit