
Ish-sekretari i Degës së PDK-së në Mitrovicë, Alush Musaj dhe Ali Sadiku, xhaxhai i ministres së Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha-Sadiku, janë dy nga drejtuesit e Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, të cilit të hënën iu hoq akreditimi për vitin akademik 2019/2020.
Alush Musaj është rektor i Universitetit “Isa Boletini”. Rektori Musaj më parë ka qenë sekretar i degës së PDK-së në Mitrovicë. Ka qenë drejtor i inspeksionit në mandatin e Bajram Rexhepit si kryetar i Komunës së Mitrovicës.
Ai është rektori i parë i Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, pasi në vitin 2013 fillimisht ishte zgjedhur si ushtrues detyre në kohën kur është themeluar ky universiteti.
Prodekane e Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike në Universitetin “Isa Boletini” është Lumnije Thaçi, Zonja e Parë e shtetit dhe bashkëshortja e Hashim Thaçit.
Numrin prej tre prokrektorëve të Universitetit Publik të Mitrovicës e plotësojnë Rifat Morina dhe Izet Zeqiri. Morina është prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zhvillim të Cilësisë, ndërkaq Zeqiri ushtron detyrën e rektorit për Mësimdhënie, Çështje të Studentëve dhe Kërkime Shkencore.


