Kuvendi miraton pikat e rendit të ditës, Bardhi përjashtohet nga seanca

Mos i humb

Kuvendi miratoi kërkesën e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, për kalimin në votim të pikave të rendit të ditës, pasi deputetët e opozitës bllokuan foltoren e Kuvendit.

Edhe gjatë votimit, deputetët e opozitës qëndruan pranë foltores duke përplasur kartonat dhe krijuar kaos në sallë. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi hodhi ujë në drejtim të Kryeministrit Edi Rama veprim për të cilin u përjashtua nga seanca plenare nga kryetari i Kuvendit.

Kuvendi vijoi me votimin e pikave të parashikuara në rendin e ditës dhe miratoi disa projektrezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të pavarura për vitin 2025.

Kuvendi miratoi me 84 vota pro, 1 abstenim dhe 2 kundër projektrezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) për vitin 2025.

Me 83 vota pro, 1 abstenim dhe 2 kundër u miratua projektrezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për vitin 2025.

Po ashtu, Kuvendi miratoi me 82 vota pro, 1 abstenim dhe 2 kundër projektrezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) për vitin 2025.

Me 83 vota pro, 1 abstenim dhe 3 kundër u miratua projektrezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së Prokurorisë së Përgjithshme për vitin 2025.

Projektrezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për vitin 2025 u miratua me 83 vota pro, 1 abstenim dhe 1 kundër.

Gjithashtu, Kuvendi miratoi me 83 vota pro dhe 3 kundër projektrezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së Avokatit të Popullit për vitin 2025.

Me 81 vota pro, 1 abstenim dhe 3 kundër u miratua projektrezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) për vitin 2025.

Në vijim, Kuvendi miratoi edhe disa akte normative dhe projektligje.

Akt normativ nr. 2, datë 30.06.2026, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026″”, u miratua me 82 vota pro, asnjë abstenim dhe 3 kundër.

Akt normativ nr. 3, datë 06.07.2026, “Për financimin e pjesshëm të organizimit të një aktiviteti kulturor-turistik me përmasa ndërkombëtare”, u miratua me 80 vota pro, asnjë abstenim dhe 6 kundër.

Po ashtu, Kuvendi miratoi me 82 vota pro dhe 2 kundër projektligjin “Për grupimet ekonomike me interes evropian”.

Projektligji “Për shoqëritë evropiane të bashkëpunimit (SHEB)” u miratua me 82 vota pro dhe 3 kundër, ndërsa projektligji “Për statutin e shoqërive evropiane (SE)” u miratua me 82 vota pro dhe 3 kundër.

Projektligji “Për mbylljen e shoqërive tregtare me kapital shtetëror në likuidim” mori 79 vota pro dhe 3 kundër.

Ndërsa projektligji “Për kërkesat e transparencës për emetuesit e titujve” u miratua me 83 vota pro dhe 3 kundër.

Balla kërkoi 5 minuta pushim për të saktësuar një amendament në pr/ligjin për ndryshime në ligjin “Për pagesat e vonuara dhe detyrimet kontraktore dhe tregtare”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit