Mandati i Xhaçkës, Bardhi kërkesë Kuvendit: Zbatoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Mos i humb

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i është drejtuar sot zyrtarisht Kuvendit që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës, vendim i cili sipas tij, “nuk zbatohet prej 1 viti e dy muaj”.

Përmes një kërkese drejtuar kryetares së Kuvendit, Bardhi shprehet se pengimi i zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rastin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, vjen pas evidentimit të qartë të faktit se familja e saj ka përfituar statusin e investitorit strategjik, në kushtet flagrante të shkeljes së ligjit dhe konfliktit të interesit.

Ky rast, sipas tij, “merr përmasat e një mbrojtjeje të pastër politike dhe pengimit të drejtësisë, po të mbahen në konsideratë edhe të dhënat e reja të hetuara dhe bëra publike nga SPAK”.

“Nga këto rezulton se pronësia mbi tokën është përfituar me dokumente tërësisht të falsifikuara duke bërë të mundur që një tokë bujqësore, me një sipërfaqe në total prej 10.592 m2, e ndodhur në Dhërmi, Vlorë, në pronësi shtet, të tjetërsohet përmes transaksioneve tek të tretët në favor të subjektit privat në pronësi të bashkëshortit të deputetes Olta Xhaçka, duke zhveshur shtetin nga pronësia mbi të dhe duke përfituar me dokumente të falsifikuara statusin e investitorit strategjik nga kryeministri Edi Rama dhe të drejtën për të zhvilluar një projekt me vlerë 5 milionë euro në fushën e turizmit”, shkruan Bardhi.

Nisur nga kjo, Bardhi e konsideron të papranueshme mbrojtjen politike dhe pengimin ndaj drejtësisë që mazhoranca po bën për rastin e ish-ministres dhe deputetes Olta Xhacka, duke penguar zbatimin prej 1 viti e 2 muaj të vendimit të Gjykatës Kushtetutese.

Bardhi kërkon zbatimin e këtij vendimi dhe thirrjen e mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve për ta përfshirë në seancën më të afërt plenare dërgimin e çështjes së mandatit të deputetes Olta Xhaçka për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Në shkresën drejtuar Kryetares së Kuvendit dhe për dijeni përfaqësive diplomatike në vendin tonë, Bardhi rikujton se përfitimi i pronave me dokumente të falsifikuara nga investitorët strategjik është një rast i përsëritur.

Në fund, Bardhi thekson se çdo vonesë e mëtejshme e kësaj çështje do të ishte dhunimi më flagrant që Kuvendi i ka bërë Kushtetutës në 33 vjet”.

“Po ashtu do të ishte një mesazh i qartë i vullnetit politik të mazhorancës socialiste për çimentimin e kulturës së pandëshkueshmërisë, përmes ofrimit të mbrojtjes politike ndaj deputetëve të mazhorancës dhe pengimit të zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetutës”, u shpreh Bardhi.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit