Manja: PD mos të bëjë politikë me amnistinë, janë reflektuar kërkesat e opozitës

Mos i humb

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja deklaroi sot në Kuvend se “asnjë i dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk përfiton nga kjo amnisti as nuk i zbritet dënimi, ky është amendamenti që do të votohet sot”.

Pas miratimit nga deputetët të futjes në rendin e ditës të projektligjit të Amnistisë, Manja  tha se “Alibeaj nuk duhet të vazhdoni të bëni më politikë me këtë projektligj, sepse është shumë komode të bësh politikë nga kjo sallë. Lexojeni ligjin, se jeni juristë”.

“Në projektligj janë akomoduar edhe kërkesat e opozitës për protestuesit, por jo siç i kërkuat ju protestuesit 2018-2020, por ata që kanë protestuar në këtë vend që ndiqen penalisht janë në hetim apo gjykim nga drejtësia. Kjo është e vërteta e kësaj amnistie”, nënvizoi Manja.

Ministri Manja u shpreh se “kur të vij radha për ta diskutuar në parim apo nen për nen është i lirë secili deputet ta marr amendamentin e propozuar nga Bardhi dhe variantin e projektligjit që ka kaluar në Komisionin e Ligjeve, tekstin integral ku akomodohen këto amendamente sepse nuk jemi duke bërë asnjë shpikje. E kemi çuar nga 3 vjet për burrat në 4, nga 4 në 5 për gratë dhe kemi thënë zbritje dënimi në 1 vit e gjysmë për burrat e dy vjet për gratë duke marrë në konsideratë të gjitha veprat që ndalohen”.

Manja tha se “po del kjo amnisti 8 muaj në parlament sikur është hera e para që po votohet këtu, sikur kemi bërë shkelje”.

“Në nderin e këtij parlamenti duhet të ketë një amnisti të pjesshme. Po bëjmë fjalë për një amnisti për vepra të lehta penale. Vetëm 5% të veprave që kap Kodi Penal kap kjo amnisti, 95% të tjerat nuk i kap kjo amnisti”, tha Manja.

Pas fjalës së ministrit Manja, kreu i PD-së, Lulzim Basha kërkoi në Kuvend që projektligji të kthehet në Komisionin e Ligjeve.

Transparenca shërbehet përmes procedurave parlamentare. Amnistia s’ka qenë në rendin e ditës. Duhet ta kaloni te Komisioni i Ligjeve. Ju s’doni që qytetarët të kenë mundësi të njihen me një amnisti që shpërblen zyrtarë të korruptuar dhe dënuar nga GJKKO dhe ndëshkon opozitarë dhe protestues të tjerë”, deklaroi ai.

Basha shtoi se ky  “është pazar anti-SPAK, anti-drejtësi, përfitojnë të korruptuarit, përfshirë zyrtarë të lartë siç është ish-sekretarja e përgjithshme e Shëndetësisë”.

Ministri Manja reagoi ndaj akuzave të Bashës duke u shprehur se “me ketë që sapo tha Basha i paska thënë lamtumirë edhe zanatit të juristit. Ky mirë që se ka lexuar ligjin, por edhe kur e lexon se lexon së prapi. Mos e merrni seriozisht”.

Manja theksoi se “kur të vijë debati për ligjin e amnistisë secili nga kolegët duhet ta ketë mundësinë të njihet me amnistinë. Të dalësh këtu e të thuash përfitojnë të dënuarit e korruptuar nga GJKKO, kur është e shkruar e zeza mbi të bardhë. Duhet të jemi pak seriozë, ka një limit”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit