Maqedonia e Veriut dhe Kosova, protokoll për bashkëpunim mes policive

Mos i humb

Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë nënshkruar protokoll për bashkëpunim mes policive nga të dy vendet për formimin e ekipeve të përbashkëta hetuese për luftimin e krimit të organizuar ndërkufitar.

Në prani të zv/kryeministrit dhe ministrit të brendshëm të Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski dhe homologut të tij kosovar, Ekrem Mustafa, protokolli u nënshkrua nga drejtorët e policisë nga të dyja vendet.

Para nënshkrimit të protokollit, delegacionet e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, bashkë me përfaqësues diplomatikë, kishin mundësi të ndjekin stërvitjen operativo-taktike “Gjahu” të realizuar nga më shumë njësite të forcave policore të Maqedonisë së Veriut.

Në deklaratë për media, ministri Spasovski tha se me demonstrimin e bërë, forcat policore kanë dëshmuar se janë të përgatitur që të ruajnë sigurinë dhe stabilitetin e qytetarëve dhe shtetit.

“Kjo dëshmon se Maqedonia e Veriut me të vërtetë është shtet i cili krijon paqe dhe stabilitet edhe në rajon, për shkak se ballafaqimi me këto sfida të vështira me të vërtetë është prioritet i lartë, për shkak se nëse nuk keni siguri dhe stabilitet, atëherë nuk ka në çka të bazohet shteti dhe përparimi i atij shteti”, tha Spasovski.

Duke folur për protokollin e nënshkruar, ministri Mustafa tha se kjo dëshmon që Maqedonia e Veriut dhe Kosova janë dy vende mike që kontribuojnë në sigurinë e rajonit të Ballkanit.

“Kjo dëshmon se bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës është në nivele sa më të larta”, tha ministri Mustafa.

“BE seriozisht t’i qëndrojë zbatimit të marrëveshjes me Turqinë”

Ministri Spasovski u pyet për mundësinë e shfaqjes së një vale të re të migrantëve dhe refugjatëve dhe gatishmërinë e vendit që të ballafaqohet me një krizë të tillë.

Ai tha se shteti është i përgatitur për një valë të re eventuale të migrantëve, duke shtuar se ekzistojnë dy qendra tranzitore për migrantë.

Duke u shprehur se momentalisht nuk ka indicione të qarta për rritjen e numrit të migrantëve, Spasovski gjithashtu tha se Maqedonia e Veriut do ta respektojë politikën e Bashkimit Evropian (BE) për migrantët, por bëri thirrje që BE të zbatojë me seriozitet marrëveshjen me Turqinë.

“Unë vlerësoj se Bashkimi Evropian duhet seriozisht t’i qëndrojë zbatimit të marrëveshjes me Turqinë, nëse me të vërtetë dëshirojmë që të mos na ndodhë valë e re e migrantëve dhe kjo është punë të cilën duhet ta mbarojnë udhëheqësitë e Bashkimit Evropian dhe Turqisë”, tha Spasovski.

Ai gjithashtu tha forcat e sigurisë së vendit fillimisht do të angazohen për garantimin e sigurisë së qytetarëve të vendit dhe me këtë të kontribuojnë në sigurinë e rajonit dhe Evropës.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit