Maqedonia e Veriut, Pendarovski është kandidati i përbashkët në zgjedhjet presidenciale

Mos i humb

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe kreu i Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, ka zhvilluar një takim me partnerët e tij të koalicionit dhe Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), pas çka njoftoi se Stevo Pendarovski është kandidati i përbashkët i shumicës parlamentare në zgjedhjet presidenciale që janë caktuar të mbahen më 21 prill të këtij viti.

Zaev tha se kësaj radhe janë bashkuar të gjitha komunitetet rreth një kandidati të përbashkët, si maqedonasit, shqiptarët, serbët, turqit, vllahët, romët, boshnjakët dhe të tjerët, veprim i cili, siç tha ai, ndodh për herë të parë në historinë e Maqedonisë së Veriut.

Sipas kryeministrit Zaev, Pendarovski është një kandidat mbipartiak, evropian, qytetar, mik dhe president për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

“Stevo është një njeri i cili që moti mori vendim që të ecë para, e jo prapa. I zgjodhi qytetarët. Shpreh falënderimet e mia për madhështinë e kandidatëve tanë të tjerë të cilët ishin favorit, Radmilla Shekerinska, Nikolla Dimitrov, Oliver Spasovski dhe kandidatët tjerë”, tha Zaev.

Më tej, Zaev tha se më 3 mars, ky vendim i shumicës parlamentare duhet të miratohet edhe nga organet partiake të LSDM-së, si dhe tek organet partiake të partnerëve tjerë të koalicionit, që gjithsej janë 31.

Pendarovski, pasi u zgjodh deputet në zgjedhjet e fundit parlamentare, u emërua koordinator kombëtar për përgatitjen e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në NATO, detyrë të cilët e ushtron aktualisht.

Më herët, VMRO-DPMNE-ja opozitare në kongresin partiak zgjodhi që të kandidojë me profesoreshën Gordana Siljanovska. Ajo fitoi besimin e 408 delegatëve partiakë, ndërsa kandidati i dytë me radhë, Vllatko Gjorçev, fitoi vetëm 111 vota.

Përpos kësaj, kandidaturën e tij e ka paralajmëruar edhe profesori universitar Blerim Reka.

Kujtojmë se zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut janë caktuar për më 21 prill, ndërsa rrethi i dytë zgjedhor do të mbahet më 5 maj, në rast se askush nga kandidatët nuk e fiton shumicën e votave në rrethin e parë.

Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut për herë të parë që nga pavarësia e saj në vitin 1991 vendoset që një parti maqedonase dhe shqiptare të dalin me një kandidat të përbashkët në zgjedhje presidenciale.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit