Marku: Parqet fotovoltaike dhe eolike, skandale të mëdha abuzimi

Mos i humb

Sekretarja për Pushtetin Vendor dhe Decentralizimin në PD, si dhe kryetare e degës së PD në Lezhë, Afrida Marku u shpreh sot se, “projektet e nevojshme për diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë elektrike janë zëvendësuar me skandalet e radhës në Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë me implikimin edhe të shumë bashkive në vend”.

Në një deklaratë për mediet, Marku u shpreh se, “denoncimi i Partisë Demokratike më 7 janar të këtij viti se të ashtuquajturit parqe fotovoltaike dhe eolike do të rezultonin në skandale të mëdha abuzimi dhe korrupsioni sikurse inceneratorët, tashmë po vërtetohet dita-ditës”.

“Mijëra hektarë pyje e kullota pronë publike po jepen çdo ditë në përdorim me procedura të nxituara administrative, me konsultime të improvizuara me qytetarë, për zhvillimin e projekte që nuk janë paraprirë në planet e zhvillimit vendor me detaje sipas zonave të caktuara, duke anashkaluar interesin publik, përfitimin dhe lehtësitë ekonomike për familjet kryesisht në zonat ku pretendohet të zhvillohen këto projekte, pa transparencë mbi kriteret bashkëkohore të detyrueshme për materialet që do të përdorën, detyrimisht të riciklueshme, me operatorë ekonomik historiku e kapaciteti financiar i të cilëve nuk është në raport me peshën financiarë të këtyre projekteve”, tha ajo.

Sipas saj, bashkia Shkodër ka nisur procedurat për dhënien në përdorim të sipërfaqes 140.48 hektarë  në ekonomisë pyjore Drin-Gjadër-Kir, për ndërtimin e parkut fotovoltaik nga subjekti Natyra Energy, i cili sipas të dhënave të regjistrit të Qendrës Kombëtare të Biznesit, rezulton me një kapital prej vetëm 100 lekë.

Po ashtu, sipas Markut, “Sitrof Energy and Construction” shpk, subjekti aplikues për marrjen në përdorim të 90.9 hektarëve nga fondi pyjor në Bashkinë Klos për ndërtimin e parkut fotovoltaik, për të cilin Bashkia dhe Këshilli Bashkiak Klos kanë nisur procedurat në tetor 2023, rezulton shoqëri e themeluar në korrik 2023, me kapital themeltar 100.000 lekë”.

“Me një proces të nxituar e paracaktuar ku subjektet që kanë aplikuar për marrjen në përdorim të pasurisë publike janë të njëjtët që kanë kryer dhe studimin paraprak, Bashkia Lezhë ka nisur procedurat për lejimin e asgjësimit të 15 hektarëve pyje në Brinjat e Kreshtës në Ungrej dhe 16 hektarëve në ekonominë pyjore “Molung” në njësitë  administrative Kolsh dhe Zejmen, për ndërtimin e Aerogjeneratorëve. Në rastin e parë, ndonëse jo pa shkak Bashkia Lezhë është kujdesur të mos bëjë publike të dhënat e plota, operatori ekonomik rezulton që në 2019 të ketë shpallur procedurat e falimentit. Në rastin e dytë, projekti është planifikuar të zbatohet afër zonës së banuar, duke rrezikuar jetën e shëndetin e banorëve nga rrezatimi i dëmshëm, zhdukjen e llojeve të caktuara të bimësisë dhe kafshëve, si dhe duke penguar perspektivën turistike të zonës”, tha Marku.

“Në 4 muajt e fundit, Bashkia Elbasan ka nisur procedurat për dhënien në përdorim të 168 hektarëve pyje e kullota, pa marrë asnjë masë dhe pa asnjë strategji për minimizimin e ndotjes alarmante në këtë Bashki”, theksoi ajo.

Marku i bëri thirrje bashkive dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, t’i japin fund abuzimeve.

“Partia Demokratike do të ndjekë rrugën ligjore për të denoncuar dhe adresuar në institucionet kompetente çdo rast abuzimi me pronën publike, interesat dhe të ardhmen e shqiptarëve”, përfundoi Marku.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit