Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ka reaguar në rrjetet sociale pas marrëveshjes për mbrojtje dhe siguri mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë. Ai e konsideron këtë bashkëpunim si të natyrshëm mes tre shtetesh sovrane.
“Si aleatë kemi një vlerësim të njëmendtë mbi kërcënimet që synojnë të pengojnë të ardhmen evropiane të rajonit tonë.
Ndaj kemi vendosur të bashkëpunojmë për të rritur kapacitetet tona mbrojtëse dhe për të mbështetur integrimin e Kosovës në mekanizmat rajonalë”, tha Vengu.
Ministri i kthen përgjigje edhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç i cili e ka konsideruar marrëveshjen si “startin e një gare armatimesh”. Vengu thotë se prej dy vitesh, Beogradi zyrtar ka ndjekur një “politikë të karriges bosh në iniciativa rajonale”. Prandaj çdo narrativë viktimizuese nga qeveria serbe, sipas ministrit të Mbrojtjes, është e kotë pasi mjafton që Serbia të lerë mënjanë pezullimin që i ka bërë vetes në mënyrë të njëanshme për të marrë pjesë në konsultime shumëpalëshe.
Vengu thotë se në Shqipëria nuk ka pasur kurrë në histori precedentë marrëveshjesh ose traktatesh të fshehta në dëm të fqinjëve siç kanë pasur shtete të tjera.
E për këtë arsye thotë se nuk ka asnjë problem që të publikohet marrëveshja trepalëshe.
“Serbia, duke ndjekur prej dy vitesh një politikë të karrikes boshe në iniciativat rajonale, ia ka pezulluar në mënyrë të njëanshme vetes mundësinë për të nxitur ose për të marrë pjesë në konsultime shumëpalëshe.
Ky pezullim, që është në dorën e Serbisë të lihet mënjanë, e bën të kotë çdo narrativë viktimizuese që vjen nga qeveria serbe.
Në historinë e saj, Shqipëria nuk ka precedente marrëveshjesh ose traktatesh të fshehta në dem të fqinjeve, siç e kanë pasur shtete të tjera.
Për rrjedhojë, krahas kureshtjes së ekspertëve të dramave rajonale dhe atyre që mezi presin të gjejnë një vesh për të dëgjuar rënkime, nuk e kemi aspak problem të publikojmë marrëveshjen tripaleshe”, tha Vengu.
Shqipëria, Kroacia dhe Kosova nënshkruan këtë javë një deklaratë për thellim të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.
Ata thanë se do të rrisin ndërveprueshmërinë e ushtrive përmes edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve të përbashkëta, si dhe do të angazhohen në luftimin e kërcënimeve hibride, por edhe do të koordinojnë politikat për integrime euroatlantike.
Marrëveshja Tiranë – Prishtinë – Zagreb le të hapur mundësinë që asaj t’i bashkohen edhe vende të tjera. Përfshirja e Kosovës nuk shkel marrëveshjet me Serbinë pasi në 2023-shin Prishtina dhe Beogradi ranë dakord që pala serbe nuk do e pengonte Kosovën të anëtarësohej në organizata ndërkombëtare.
Teksti i plotë i Deklaratës së Përbashkët të nënshkruar nga Shqipëria, Kroacia dhe Kosova
Duke njohur marrëdhëniet e forta dhe të qëndrueshme ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Kosovës, të bazuara në vlerat e përbashkëta, orientimet strategjike dhe angazhimet reciproke drejt sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal,
Duke riafirmuar synimin tonë për të forcuar bashkëpunimin trepalësh të sigurisë dhe mbrojtjes për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në Evropën Juglindore dhe në rajonin Adriatiko-Jonian,
Duke theksuar rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për t’iu përgjigjur sfidave të reja të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të dëmtojnë stabilitetin rajonal, evropian dhe ndërkombëtar,
Marrja e veprimeve të menjëhershme për zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse duke pranuar ambiciet që rrjedhin nga Koncepti Strategjik i NATO-s dhe Busulla Strategjike e Bashkimit Evropian, të konceptuara për të rritur aftësinë tonë për të mbrojtur territoret dhe njerëzit tanë, si dhe për të kontribuar për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare,
Avancimi i hapave të përbashkët për të rritur bashkëpunimin dhe prodhimin industrial të mbrojtjes në përputhje me Zotimin e NATO-s për Zgjerimin Industrial dhe planin e Bashkimit Evropian për “Riarmatosjen e Evropës”,
Ne jemi të vendosur për t’u siguruar që jemi të pozicionuar mirë për t’u bërë ballë kërcënimeve aktuale dhe në zhvillim, si dhe për të arritur objektivat tona të mbrojtjes dhe sigurisë,
Ne: Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kroacisë, si dhe Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, deklarojmë angazhimin tonë si më poshtë:
1. Promovimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe bashkëpunimi për industrinë përkatëse duke:
– Eksploruar zhvillimin dhe blerjen e kapaciteteve mbrojtëse nëpërmjet zgjidhjeve të bashkëpunimit shumëkombësh për të rritur gatishmërinë e forcave tona ushtarake;
– Identifikuar hapësira për bashkëpunimin industrial të mbrojtjes, duke nxitur aksesin në burime dhe zinxhirë furnizimi për të krijuar një industri konkurruese dhe të qëndrueshme të mbrojtjes;
– Rritur përpjekjet për të investuar në teknologji dhe inovacione të reja për të përshpejtuar dhe siguruar një qasje të unifikuar ndaj transformimit të sigurisë dhe mbrojtjes.
2. Rritja e ndërveprueshmërisë nëpërmjet edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve duke:
– Ndarë ekspertizën dhe praktikat më të mira në rekrutimin, zhvillimin dhe mbajtjen e personelit të kualifikuar, duke përfshirë shkëmbimin e koncepteve të forcave rezerviste, për të rritur kapacitetet tona parandaluese dhe mbrojtëse;
– Rritur mundësitë e edukimit dhe trajnimit individual dhe kolektiv përmes akademive dhe kolegjeve ushtarake përkatëse, me qëllim që të ketë kuptueshmëri më të mirë nga ana strategjike të kërcënimeve dhe sfidave të përbashkëta;
– Forcuar stërvitjet dypalëshe dhe/ose trepalëshe për të përmirësuar ndërveprueshmërinë, në përputhje me Politikat e NATO-s dhe BE-së për Trajnimet dhe Stërvitjet, për t’u siguruar që forcat të jenë të përgatitura në mënyrë adekuate.
3. Kundërpërgjigja ndaj kërcënimeve hibride dhe rritja e qëndrueshmërisë duke:
– Forcuar hapat e përbashkët për t’iu kundërpërgjigjur kërcënimeve hibride, duke përfshirë kërcënimet kibernetike, fushatat e dezinformimit, si dhe ndikimin dashakeq të huaj që mund të komprometojë ose të ndikojë në sigurinë kombëtare dhe rajonale;
– Shkëmbyer informacione dhe shërbime të inteligjencës për ndërgjegjësimin dhe koordinimin strategjik dhe operacional të situatës ndërmjet institucioneve të mbrojtjes për të parandaluar, zbuluar dhe reaguar në mënyrë efektive kundër sfidave që hasin vendet tona përkatëse;
– Eksploruar opsione të reagimit që adresojnë një gamë të gjerë kërcënimesh të mundshme për infrastrukturën tonë kritike dhe rrjetet e komunikimit dhe që mbështesin kohezionin dhe ndihmën e ndërsjellë.
4. Ofrimi i mbështetjes së plotë për integrimin euroatlantik duke:
– Përafruar politikat dhe pozicionet me institucionet dhe strukturat shumëpalëshe euroatlantike për sigurinë dhe mbrojtjen, për të çuar përpara interesat dhe objektivat tona kombëtare dhe të përbashkëta rajonale;
– Treguar angazhim për bashkëpunim dhe koordinim më të ngushtë për integrimin e plotë të Kosovës në iniciativat rajonale për sigurinë mbrojtjen;
– Mbështetur perspektivën euroatlantike të Kosovës duke ofruar mbështetje për statusin e saj në Partneritetin për Paqe të NATO-s.
Kjo Deklaratë e Përbashkët është bërë në frymën e miqësisë, solidaritetit dhe besimit të ndërsjellë. Ajo pasqyron vizionet e përbashkëta strategjike të Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Kosovës. Ajo nuk krijon asnjë detyrim të ri ligjor ndërkombëtar ose ndërqeveritar ndërmjet shteteve, as nuk ndikon në detyrimet ekzistuese me shtetet e tjera.
Nënshkruar në Tiranë, më 18 mars 2025
Për Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës të Shqipërisë
Z. Pirro VENGU
Ministër i Mbrojtjes
Për Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës të Kroacisë
Z. Ivan ANUŠIC
Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Mbrojtjes
Për Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës të Kosovës
Z. Ejup MAQEDONCI
Ministër i Mbrojtjes