Mbi 500 mijë refugjatë Rohingya në Bangladesh marrin kartat e identitetit

Mos i humb

Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) ka bërë të ditur se mbi gjysmë milioni refugjatëve Rohingya që jetojnë në kampe të improvizuara në Bangladesh u janë lëshuar dokumentet e identitetit.

UNHCR njoftoi se deri më tani mbi 500 mijë refugjatë Rohingya nga Mianmari janë regjistruar bashkërisht nga autoritetet e Bangladeshit dhe UNHCR. Agjencia e OKB-së theksoi se ata që janë regjistruar, kryesisht për herë të parë, tani kanë dëshmi për identitetin e tyre, një kartë identiteti të sigurt.

“Kartat biometrike janë lëshuar nga autoritetet e Bangladeshit dhe UNHCR për të gjithë refugjatët e verifikuar mbi moshën 12-vjeç”, tha UNHCR.

Sipas UNHCR-së, të dhënat e sakta do të ndihmojnë agjencitë për planifikimin e programit të tyre, veçanërisht për ata me nevoja specifike siç janë gratë, fëmijët dhe njerëzit me aftësi të kufizuara.

“Kartat e reja të regjistrimi tregojnë se Mianmari është vendi i origjinës, një element thelbësor në vendosjen dhe ruajtjen e të drejtës së refugjatëve Rohingya për t’u kthyer në shtëpitë e tyre në Mianmar”, tha UNHCR.

Karta e identitetit mund të përdoret nga partnerët humanitarë për të siguruar që nuk ka shkelje në ndihmë dhe se askush nuk është lënë jashtë.

Rreth 900 mijë refugjatë Rohingya jetojnë në vendbanime të mbi populluara në rrethin Cox’s Bazar të Bangladeshit, me mbi 740 mijë që mendohet se kanë ikur nga Mianmari që nga gushti i vitit 2017, megjithëse sipas statistikave të qeverisë së Bangladeshit vendi aktualisht strehon 1.1 milionë refugjatë Rohingya.

Sipas Amnesty International, më shumë se 750 mijë refugjatë Rohingya, kryesisht gra dhe fëmijë, kanë ikur nga Mianmari dhe kanë kaluar në Bangladeshin fqinj pasi forcat e Mianmarit filluan një sulm ndaj komunitetit pakicë musliman në gusht të vitit 2017.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit