Meta dekoron me titullin “Mjeshtër i Madh” sportistë të dalluar për rezultatet e tyre në arenën kombëtarë dhe në ndërkombëtare

Mos i humb

Me anë të një ceremonie solemne, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi arritjet dhe rezultatet e larta të disa sportistëve të spikatur në atletikë, mundje dhe çiklizëm, duke i dekoruar ata me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri

 

Kreu i Shtetit dekoroi atleten, basketbollisten, volejbollisten dhe pedagogen Marie Rranzi (pas vdekjes) “Në shenjë vlerësimi për kontributin e çmuar si sportiste e gjithanshme; pioniere e sportit tek femrat; me rezultate të shkëlqyera në atletikë, basketboll dhe volejboll. Kampionia e parë në sportin shqiptar, pedagoge dhe trajnerë e paharruar. E dalluar në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare.”;

Mundësin kampion dhe trajnerin e pasionuar zotin Eljaz Ahmeti (Dini) “Në shenjë vlerësimi për veprimtarinë e shquar sportive, në sportin e mundjes klasike, si sportist i ‘Vllaznisë’ dhe ‘Partizanit’. Sportist dhe trajner kampion në veprimtaritë e mundjes klasike.”;

Çiklistin e shquar shkodran, Brahim Syka “Në shenjë vlerësimi për kontributin e shquar në sportin e çiklizmit, duke dëshmuar për vite me radhë aftësi të shkëlqyera në rezultatet e arritura me ekipin ‘Vllaznia’ dhe Ekipin Kombëtar.”; si dhe zotin Arben Heta “Në shenjë vlerësimi për kontributin e suksesshëm dhe rezultatet e larta në veprimtaritë kombëtare në sportin e çiklizmit, si dhe në përfaqësimin dinjitar në arenën ndërkombëtare”.

Në fjalën e Tij përshëndetëse, Presidenti Meta u shpreh:

“Është kënaqësi të organizojmë këtë ceremoni për të nderuar me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’, Marie Rranzin, themeluesen, kampionen dhe rekordmenen e parë të atletikës tonë, sportisten e mrekullueshme dhe të gjithanshme, në basketboll, volejboll e pingpong, si dhe një nga mësueset e para të edukimit fizik.

Marie Rranzi gjithë jetën e saj ja kushtoi inkurajimit dhe pjesëmarrjes së vajzës dhe të gruas shqiptare në aktivitet fizike dhe në sport, duke dhënë kështu një kontribut historik për emancipimin e shoqërisë sonë.

Është kënaqësi e veçantë të nderojmë gjithashtu me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” edhe një sportist të madh të mundjes klasike, Eljaz Dini (Ahmeti), trajnerin e suksesshëm të ‘Vllaznisë’ dhe ‘Partizanit’, kampion dhe fitues i disa spartakiadave kombëtare, po kështu një trajner i mjeshtrave të mëdhenj të mundjes klasike.

Është kënaqësi e veçantë të vlerësojmë me Titullin ‘Mjeshtër i Madh’ edhe sportistin e talentuar shkodran, Brahim Syka, çiklistin kampion, që së bashku me Agim dhe Sytki Tafilin, krijuan një treshe historikë që udhëhiqte çiklizmin shqiptar.  Kampion, fitues i Medaljeve të Arta në spartakiadat kombëtare, i pathyeshëm në të gjitha garat brenda dhe jashtë vendit.

Kam kënaqësi të nderoj sot, Arben Hetën me Titullin ‘Mjeshtër i Madh’,  është një nga çiklistët e spikatur të klubit ‘Tirana’ dhe të Ekipit Kombëtar. Fitues i shumë titujve kampion dhe trofeve të rëndësishme në veprimtari kombëtare dhe ndërkombëtare, ai ka lënë gjurmët e tij të paharruara në zhvillimin e sportit të çiklizmit. Mjeshtërit, që vlerësojmë janë të njohur nga i gjithë opinioni sportiv, pasi me arritjet e tyre, ata na kanë bërë të ndjehemi krenarë. Një falënderim të veçantë kam për familjet e tyre, që i kanë mbështetur, në të gjithë sakrificat që ata kanë bërë, për të pasur suksese në sport. Shembulli i sukseseve të tyre, duhet të jetë një frymëzim, sidomos për fëmijët dhe për të rinjtë e sotëm, që të angazhohen me sport!”

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit