Meta: PL propozon politika fiskale në mbështetje të familjes

Mos i humb

Partia e Lirisë organizoi sot një tryezë për rolin e familjes në shoqëri.

Kreu i kësaj partie, Ilir Meta deklaroi në fjalën e tij se, institucioni i familjes në vendin tonë është tronditur.

Meta tha se, për të forcuar familjen shqiptare ka nevojë për politika të drejtpërdrejta mbështetëse sociale, ku bashkitë luajnë një rol shumë të rëndësishëm.

“Duhen ndërtuar çerdhe e kopshte sipas standardeve evropiane. Duhet shtuar numri i çerdheve e kopshteve, që të mos kemi më grupe me 40 e më shumë fëmijë dhe ku kujdesi dhe vëmendja ndaj secilit prej tyre bëhet shumë e vështirë për edukatoret. Duhet të mbështesim familjet e reja, duke iu ofruar mundësinë që fëmijët e tyre janë të sigurt e të qetë në kopshte e çerdhe, ndërkohë që të dy prindërit punojnë”, theksoi ai.

Për këtë, shtoi Meta, “nevojitet zgjatja e orarit të çerdheve dhe kopshteve”.

Nga ana tjetër, vijoi ai, “kemi nevojë të mbështesim dhe nxisim nënat e reja për të bërë më shumë fëmijë, duke iu ofruar infrastruktura më të mira mbështetëse, rritje të numrit të konsultoreve dhe qendrave shëndetësore”.

“Mbështetja e grave dhe vajzave, si pjesë thelbësore e familjes përmes fuqizimit të tyre ekonomik, politik e shoqëror brenda edhe jashtë familjes, luftës kundër dhunës ndaj tyre, dedikimit të programeve të veçanta për nxitjen e start-up-eve nga vajzat dhe gratë, mbështetjes së grave kryefamiljare, forcimit të ndihmës ekonomike për gruan kryefamiljare dhe për të porsalindurit, rritjes së ndihmës sociale për fëmijët në familje me prindër të divorcuar, arsim më cilësor dhe ekonomi më e qëndrueshme janë disa nga prioritetet e Partisë së Lirisë në programin e saj. Ndërkohë që thelbësore për forcimin e familjes shqiptare dhe ndalimin e largimit të të rinjve dhe shpopullimit të vendit mbeten veçanërisht politikat fiskale konkrete në mbështetje të saj”, tha Meta.

Po ashtu, Meta tha se, Partia e Lirisë propozon politika fiskale në mbështetje të familjes.

“Nënat me 2 dhe më shumë fëmijë të diferencohen në taksimin mbi pagën dhe të ardhurat. (Në kuadrin e barazisë gjinore do të shihet mundësia që këtë të drejtë ta përfitojë edhe babai). Të jepet paga e plotë, për një vit kalendarik, për lejet e lindjes. Të mbështeten me kredi, deri në 20,000 euro, me interesa të subvencionuara nga shteti, çiftet e reja. Të mbështetjen me grante deri në 20.000 euro, sipërmarrësit e rinj, deri në moshën 25 vjeç, që krijojnë biznese sociale dhe start-up-e. Të trefishohet bonusi i bebes. Nisur nga përqindja e lartë që ka konsumi i ushqimeve bazë në familjen shqiptare, Partia e Lirisë propozon: Rimbursim deri në 5% të shumës së shpenzuar për ushqimet bazë (ushqimet e shportës), sipas faturave të blerjes. Në veçanti, për familjet me fëmijë 0-3 vjeç të krijohet “Shporta e bebes”, me ushqimet bazë dhe artikuj të higjienës, për të cilat të bëhet rimbursimi deri në 10% sipas faturave të blerjes. Të vendoset sigurimi i detyrueshëm i jetës, në ambientet parashkollore, shkollore, rekreative e sportive, për fëmijët e moshës 0-18 vjeç”, theksoi Meta.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit