Ministri i Bujqësisë Nenad Rikallo, sot është paraqitur para Komisionit Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, për të raportuar para anëtarëve të komisionit për dëmet që kanë shkaktuar reshjet tek prodhuesi në Kosovë.
Me këtë rast ministri Rikallo bëri të ditur se deri tani janë gjithsej 1 milion e 200 mijë dëme të shkaktuara edhe pse kjo shifër sipas tij mund të ndryshoj pasi që Kosova ditëve te fundit po ballafaqohet me reshje të shumta në shumë komuna, ndërsa me parë ishte vetëm ajo e Rahovecit që prodhuesve të kësaj komune u janë dëmtuar prodhimet e tyre qind për qind, raporton Kosova Post.
Rikallo, para Komisionit ka pranuar se dikasteri që ai drejton nuk ka një fond të posaçme për mbulimin e dëmeve të fermerëve. Ai ka përmendur edhe mungesën e sistemit nga mbrojtja ndaj breshrit( sistemit raketor) si një problem kryesor.
‘Mungon sistemi i mirë i ujitjes dhe sistemi nga mbrojtja ndaj breshrit, që nuk funksion që nga koha e hyrjes së KFOR-it në Kosovë, si dhe çështja e sigurimeve në bujqësi, mungon jo vetëm në Kosovë, por edhe ne regjion’, tha ai duke mos specifikuar nëse ministria që ai drejton do të arrij të paguaj dëmet e shkaktuara, raporton Kosova Post.
‘Me rishqyrtimin e buxhetit ne do të shohim sa mjete kemi në dispozicion për të dalë me vendim konkret për mbulimin e shpenzimeve, të cilat do të mundohemi ti mbulojmë deri 50 për qind të dëmeve’, tha Rikallo para anëtarëve të komisionit të cilët u interesuan se kur ministria do ti mbulojë shpenzimet e qytetarëve që reshjet ua dëmtuan bizneset me të cilat ata sigurojnë bukën e gojës.
Rikalo, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve lidhur me kompenzimin e dëmeve tha se ministria që ai drejton nuk ka fond te posaçëm, por tha se do të kerkohet ndihmë nga Qeveria.
‘Mbi 4 milion dëme janë vetëm në Komunë e Rahovecit, nuk mjafton 50 për qind mbulesë të dëmeve, por edhe të fitimit se më ketë veprim ne po ua mohojmë të drejtën për mbijetesë’, tha Andin Hoti deputet i Kuvendit të Kosovës me kresën e të cilit edhe është thirrur ministri Rikallo në raportim. /Kosova Post/


