
Në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ministri i Mbrojtjes së Turqisë, Hulusi Akar u takua me presidentin e vendit, Gjorge Ivanov.
“Në takim është biseduar për raportet bilaterale mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Turqisë, për bashkëpunimin në sferën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe për situatat aktuale që ndërlidhen me integrimin e Republikës së Maqedonisë në NATO”, thuhet në kumtesën e lëshuar nga kabineti i presidentit Ivanov.
Në kumtesë gjithashtu potencohet se presidenti Ivanov dhe ministri Akar kanë theksuar nivelin intensiv të bashkëpunimin mes dy vendeve në sferën e mbrojtjes, përmes kontakteve të rregullta në nivel të ministrive të mbrojtjes dhe në nivel të armatës.
“Në këtë kontekst, presidenti i Maqedonisë përshëndeti bashkëpunimin në sferën e sigurisë dhe shprehu kënaqësinë nga mbështetja e përgjithshme që Armata e Republikës së Maqedonisë e fiton nga ana e Republikës së Turqisë, si në aspekt financiar, ashtu edhe në mbështetje praktike dhe teknike përmes pjesëmarrjes në stërvitje, ushtrime dhe misione të përbashkëta”, thuhet në kumtesën e kabinetit të presidentit Ivanov.
Më tej theksohet se dy bashkëbiseduesit kanë shprehur gatishmërinë për përforcim të mëtejmë të raporteve bilaterale dhe thellimin e bashkëpunimit ndër-ushtarak dhe të sigurisë.
Në takimin me presidentin Ivanov, e pranishme ishte edhe ambasadorja e Republikës së Turqisë në Shkup, Tülin Erkal Kara.
Kujtojmë se ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, në kuadër të vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut më parë u takua me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, kryeministrin Zoran Zaev si dhe me zv/kryeministren dhe ministren e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, ku edhe u mbajt konferencë e përbashkët për mediat.


