Mitchell: Askush nuk ka veto sa i përket sigurisë së Kosovës

Mos i humb

Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Çështje Europiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell i cili po qëndron në vizitë zyrtare në Kosovë në konferencën e përbashkët me presidentin e vendit Hashim Thaçi theksoi rëndësinë e zhvillimit të dialogut me Serbinë dhe zgjidhjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

“Në të gjitha këto cështje vetëm Kosova mund ta zgjedhë të ardhmen e saj”, tha Mitchell pas takimit që u zhvillua në ndërtesën e Aeroportit “Adem Jashari” në Prishtinë me presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Mitchell u shpreh se SHBA-të dhe Kosova kanë një miqësi të mirë dhe të thellë duke siguruar se SHBA-të gjatë këtyre viteve kanë qenë dhe do të vazhdojnë të jenë duke punuar krah për krah me Kosovën. Duke nënvizuar se SHBA-të janë për një Kosovë shumëetnike dhe demokratike, Mitchell tha se dëshirojnë që të punojnë me Kosovën edhe sa i përket luftës kundër terrorizmit dhe DEASH-it.

Sipas tij, gjatë 10 viteve të pavarësisë Kosova ka treguar një rritje në zhvillimin e institucioneve të besueshme dhe rritje fenomenale ekonomike ndërsa potencoi se vendi duhet të ndërrmarrë hapa të rëndësishëm gjatë këtij viti për të siguruar të ardhmen e saj perëndimore.

“Biseduam për normalizimin dhe rëndësinë që Kosova të jetë e angazhuar në dialogun me Serbinë si dhe për zgjidhjen e çështjes së shënimit të kufirit me Malin e Zi për liberalizim të vizave. Biseduam për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe mbështetjen për të gjitha palët dhe komunitetet që kjo të bëhet me ndryshime kushtetuese. Askush nuk ka veto sa i përket sigurisë së Kosovës”, tha Mitchell.

Ai tha se sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit ka rëndësi të madhe për të siguruar rritje ekonomike për Kosovën.

Ndërsa në pyetjen nga gazetarët lidhur me pohimet e mediave serbe ku thuhet se Mitchell do të prezantojë një plan të ri për Kosovën që ka të bëjë me kompetencat shtesë për Asociacionin e komunave serbe ku në këmbim të kësaj Kosova do të lejohet që të aplikojë në organizata ndërkombëtare, Mitchell tha se këto janë spekulime.

“Nuk kam ardhur këtu që të shpalos ndonjë plan specifik por kam ardhur që të angazhojë Kosovën dhe Serbinë për të ardhmen e tyre të përbashkët, për të folur për dialogun dhe rrugëtimin e tyre evropian si shtete të Ballkanit Perëndimor”, tha Mitchell.

Ai theksoi se SHBA-të do të vazhdojnë ta mbështesin fuqishëm transformimin e FSK-së në forca të armatosura duke theksuar se edhe serbët janë të njoftuar me pozicionin amerikan sa i përket kësaj çështjeje.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se SHBA-ja mbetet partneri strategjik i Kosovës duke theksuar se gjatë takimit është zotuar se shteti i Kosovës është duke punuar në mënyrë aktive në konsolidimin e shtetin në rrafshin e brendshëm dhe ndërkombëtar.

Ai tha se ka informuar Mitchell për angazhimin e përkushtuar të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës që të përmbyllet sa më shpejtë çështja e demarkacionit me Malin e Zi “në mënyrë që Kosova të kalojë edhe këtë hap vendimtar për liberalizimin e vizave”.

“Shpresoj se partnerët qeverisës të Kosovës duke biseduar intensivisht me Listën Serbe kjo çështje do të përmbyllet në ditët e ardhshme. Askush nuk e ka asnjë arsye më që të vonojë votimin e demarkacionit në Kuvendin e Kosovës qofshin parti të shqiptarëve apo komuniteteve të tjera. Është interes strategjik dhe shtetëror”, tha Thaçi.

Ai poashtu potencoi se Kosova është duke punuar rreth normalizimit të plotë të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe shtoi se nuk do të lejojë asnjë formë të ndarjes apo shkëmbimit të territorit të Kosovës.

Ndihmës sekretari amerikan Mitchell gjatë ditës do të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në kuadër të turneut në shtetet e Ballkanit Perëndimor të filluar nga Prishtina, Mitchell do të vizitojë edhe Maqedoninë, Greqinë, Serbinë dhe Qipron greke./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit