MMPH prezanton softuerin e të dhënave për cilësinë e ajrit në Kosovë

Mos i humb

 

 

Në kuadër të Javës së Mjedisit, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Refki Reshitaj prezantoi softuerin për paraqitjen në kohë reale të të dhënave për cilësinë e ajrit në Kosovë.

Në një konferencë për media, ministrja Reshitaj tha se ky softuer është realizuar duke u bazuar në rëndësinë e informimit të drejtë, të saktë dhe në kohë reale të të gjithë qytetarëve të Kosovës për nivelin e ndotjes së ajrit.

Duke bërë të ditur se stacionet e monitorimit janë funksionale që nga viti 2015, Reshitaj thotë se tani është arritur që këto informacione të përmblidhen në një softuer dhe të prezantohen për ministrinë dhe gjithë publikun.

“Të dhënat për kualitetin e ajrit deri më tani janë publikuar vetëm nga stacioni pranë ambasadës amerikane dhe janë informacione vetëm për grimcat 2.5 pm ndërsa tanimë ne mund t’i kemi këto informacione edhe nga ministria por edhe për të gjithë publikun, edhe për 5 lloje të tjera të grimcave”, tha Reshitaj.

Ajo bëri të ditur se qasja në këto të dhëna do t’i japë mundësi edhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të marrë vendime dhe masa drejt zvogëlimit dhe kontrollimit të ndotësve të ajrit.

“Pra, përpos që japim informacione për gjithë qytetarët e Kosovës, këto të dhëna dhe ky softuer do të na ndihmojë shumë edhe neve si ministri për të ndikuar, për të krahasuar vlerat dhe për të na ndihmuar si politikbërës që të marrim hapa konkretë dhe të ndikojmë në strategjinë, planet dhe politikat tona për këtë çështje”, tha Reshitaj.

Ministrja bën të ditur se shumë shpejtë do të zhvillohet edhe aplikacioni që deri te këto të dhëna të arrihet edhe nëpërmjet telefonave të mençur. Ajo theksoi se këto informacione do të merren nga 8 stacione monitoruese të lokalizuara në 6 komuna të Kosovës, përkatësisht 2 stacione në Prishtinë dhe nga një në Drenas, Han të Elezit, Gjilan, Mitrovicë, Prizren dhe Pejë.

Reshitaj shtoi se po punohet në rritjen e numrit të stacioneve në rajonin e Prishtinës si dhe të shtrirjes së stacioneve edhe në qytete të tjera.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit