Mocioni i paralajmëruar për rrëzimin e Haradinajt: a mund të “tradhëtojë” sërish Kadri Veseli?

Mos i humb

Nga Blendi Gashi

Dy parti opozitare, LDK dhe Vetëvendosje ditëve të fundit kanë paralajmëruar ngritjen e një mocioni mosbesimi ndaj qeverisë “Haradinaj”, por që ende nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për ta realizuar në praktikë synimin e tyre, pra që të sigurojnë 61 votat e mjaftueshme të deputetëve.

Çdo gjë deri më tani është vetëm në nivelin e deklarimeve se “qeveria aktuale duhet të rrëzohet se ka humbur tashmë legjitimitetin për të qeverisur me vendin pasi nuk e ka shumicën në Kuvend për të miratuar asnjë ligj”.

Aktualisht, LDK e VV me përkrahjen edhe ish-vetëvendosësve që krijuan Grupin e Pavarur të Deputetëve numërojnë gjithësejt 58 vota (nëse llogaritet dhe vota e Teuta Rugovës pro); pra ju duhen edhe tre apo katër vota për ta rrëzuar Ramushin. Dhe këtë nuk po duan ta bëjnë me votat e Listës Serbe, e cila poashtu ka shprehur gatishmërinë për zgjedhje të reja, por synojnë që rrëzimin e qeverisë ta bëjnë me vota shqiptare.

Për ta bërë këtë realitet, opozitarëve iu duhet përkrahja edhe e një subjekti që është në pushtet, apo deputetëve të caktuar nga PDK apo NISMA, pasi sigurisht se nuk mund të marrin vota pro nga deputet të AAK-së.

Opozitarët tashmë kanë dy mundësi: ose të bindin deputetë të caktuar të partisë së Kadri Veselit, ose ta bëjnë të njëjtën gjë me ata të Fatmir Limajt.

Praktika ka treguar se partitë në pushtet mund ta mbështesin mocionin opozitar për rënien e qverisë. Dhe kjo ka ndodhur hiç më larg se qeverinë e kaluar ku PDK mbështeti mocionin e ngritur nga atëherë partitë opozitare VV, AAK e NISMA për rrëzimin e qeverisë “Mustafa”, me arsyetimin se nuk ishte e aftë të marrë vendime të mëdha.

Pyetja shtrohet se a do e ndjek modelin e njëjtë Kadri Veseli dhe partia e tij edhe me Ramushin, pra a do ta mbështetë mocionin opozitar për rrëzimin e qeverisë?

Janë dhjetëra arsye pse mund ta bëjë këtë, por dy prej tyre janë: e para, koalicioni aktual është vërtetë i brishtë dhe nuk ka numra për të marrë asnjë vendim pa votën e opozitës në Kuvend. E dyta, synimi i Kadri Veselit për të ardhë në krye të qeverisë, pasi partia e tij është e bindur se do dalin fituese të zgjedhjeve sidomos pas përçarjes së Vetëvendosjes.

Se PDK mund t’ia kthej Ramushit shpinën e ka thënë haptas edhe Bilall Sherifi nga NISMA, i cili nuk ka përjashtuar mundësinë që LDK të arrijë të sigurojë mbështetjen për mocionin.

Për PDK-në kurrë nuk i fus duart në zjarr që nuk mundet ta nënshkruajë mocionin”, ka deklaruar Sherifi, duke shprehur haptas mosbesimin që kanë ndaj Kadri Veselit.

Ky i fundit nuk është deklaruar rreth kësaj çështjeje dhe mbetet të shihet nëse do e luajë lojën e njëjtë si me Isën edhe ndaj Ramushit.

Megjithatë, para se opozitarët të nisin mbledhjen e votave për mocionin, së pari do të organizojnë një tryezë të përbashkët të partive për një marrëveshje të mundshme për datën e zgjedhjeve të parakohshme. Dhe nëse nuk ka një ujdi për këtë, LDK e Mustafës ka paralajmëruar se do iniciojnë mocionin për rrëzimin e qeverisë.

Kujtojmë se pas largimit të Listës Serbe, qeveria aktuale ka mbetur në kuotën e 51 votave, që nënkupton se e ka humbur shumicën. /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit