nga: Bashkim Aliu
Hapësira mediatike shqipfolëse në kohën e fundit është duke dëshmuar një sfilatë të veçantë, atë të mbulimit mediatik masiv të konvertimit të disa personave të udhëhequr nga grupe të promovuara si lëvizje për kthim në atë që ata e quajnë “ fenë e të parëve” dhe “rrënjët e kombit”. Në kohën e sfidave të mëdha, si në nivel kombëtar, ashtu edhe në atë rajonal dhe ndërkombëtar, hapësira shqiptare po preokupohet me thirrje të vazhdueshme për kthim në “fenë e të parëve”, thirrje kjo që nuk është krejt e re, mbase me këtë intenzitet është njohur vetëm në këtë kohë.
Spektakli i këtillë që po u ofrohet shqiptarëve, pa dyshim se ka ngjallur debate dhe reagime të shumta, jo për shkak të kontestimit të së drejtës së besimit dhe lirisë së njeriut që ta zgjedh besimin të cilit do t’i takojë, por për shkak të përmasës patriotike që ia dhanë propagandës fetare të veshur me petk kombëtar. Tendencat e këtilla e tejkalojnë kornizën fetare duke u spostuar në mohimin e pjesës shumicë të bashkësisë fetare te shqiptarët, kontributit dhe figurave të shquara të tyre, të cilët kanë kontribut të pa mohueshëm për historinë kombëtare.
Bile, këto spektakle hapin fronte ballafaqimi brenda vetë familjeve shqiptare, për shkak të përkatësisë fetare islame të disa anëtarëve të familjes, dhe thirrjeve për konvertim të disa të tjerëve. Këto spektakle të pa kuptimta, shkaktojnë përplasje brenda shqiptarëve, për shkak të kontestimit të njëri besim, në këtë rast atij islam, i cili është besimi i bashkësisë shumicë te shqiptarët, në emër të mbrojtjes së identitetit kombëtar.
Shembulli më i mirë i raporteve dhe qëndrimit të shqiptarëve ndaj fesë në kontekst të çështjes kombëtare, janë rilindasit, të cilët jo vetëm që nuk i fryjtën zjarrit të urrejtjes fetare ndër shqiptarët, por edhe krijuan taban të fortë dhe stabil të kuptimit të raporteve mes bashkësive fetare ndër shqiptarët në kontekst të çështjes kombëtare. Ata e trasuan rrugën më të iluminuar të të të qenit shqiptar dhe fetar, dhe kohezionin e harmoninë fetare si mbështetëse të çështjes kombëtare, e jo dërrmuese të saj.
Bile, edhe Vaso Pasha, që në vargjet e tij më drejtpërdrejtë e ka prekur këtë çështje, në fakt, nuk e ka parë fenë si shkak për mjerimin e shqiptarëve dhe as që e ka problematizuar fetarësinë si sfidë për çështjen kombëtare, por ai e ka vënë në spikamë tendencën e instrumentalizimit të fesë për ekskluzivitetin e formësimit identitar kombëtar shqiptar, gjë që tentohet të etablohet nga misionarë fetarë në emër të lëvizjeve kombëtare në këtë kohë.
Po ashtu, gjatë historisë së zhvillimit të mendimit intelektual shqiptar, krerët fetarë të besimeve fetare ndër shqiptarët, janë identifikuar si bartës së ideve përparimtare për kauzën kombëtare shqiptare, ngase kanë ecur drejtë dhe fuqishëm në rrugën e unitetit kombëtar shqiptar, edhe përskaj dallimeve fetare, me çka e kanë përjashtuar çdo mundësi që besimet fetare të instrumentalizohen nga individë dhe grupe apo rryma të caktuara, për të ndezur zjarr urrejtjeje dhe ndasie mes shqiptarëve. Kjo don të thotë se ata që ecin në drejtim të kundërt në këtë kohë, duke e përdorur ndrrimin e fesë për të irrituar pjestarët e bashkësisë fetare shumicë te shqiptarët, i trazojnë ata shpirtëra përparimtar të krerëve fetarë, të cilët nuk e gëlltitin dot këtë ushqim të hidhur që sot servohet në tryezën e shqiptarëve në emër të “fesë së të parëve” dhe “pranimit nga Brukseli”.
Kjo mendësi e promovimit të “fetarësisë” me plot të drejtë mund të quhet “neoenverizëm”, pasi e targeton fenë islame si element destruktiv, por nga diskursi e anatemon çdo besim fetar, pasi besimet fetare, në thelb, e përjashtojnë urrejtjen, gjë që është kryetitull i lëvizjeve minore diletante që tentojnë ta monopolizojnë shqiptarizmin dhe kauzën kombëtare, por që në rrugën e tyre të errët takohen me narrativën serbe të paraqitjes së shqiptarëve para Evropës si “rrezik islamik” për vlerat evropiane, dokrra këto që nuk shiten në tregun intelektual evropian.
Jo rrallë dëgjohen biseda dhe lexohen shkrime se edhe myslimanët duhet të reflektojnë në këto rrethana, pasi i kanë fryrë çështjes së konvertimeve të të tjerëve në Islam, e tash nuk e durojnë dot largimin e të tjerëve nga Islami. Megjithatë, analiza e mirëfilltë e këtij fenomeni nuk na nxjerr në rezultate që do t’i ulnin myslimanët në bangën e të akuzuarve. Nuk kujtoj se do të ishte e dënueshme që një komunitet me admirim ta presë dikë që kalon në besimin e tij, dhe kjo realisht ndodh gjithandej nëpër botë, gejgjësisht jo vetëm myslimanët, por të gjitha komunitetet fetare e presin me eufori dikë që kalon në besimin e tyre. Deri këtu nuk mud të thuhet se ka diçka jo të zakonshme dhe kjo gjë të porblematizohet. Në fakt, myslimanët nuk e problematizojnë nëse dikush vendos për nga bindja personale ta len një besim dhe ta merr një besim tjetër.
Por, ajo që nuk do të pranohet dot nga shqiptarët muslimanë është që kalimi nga një besim në një tjetër, në këtë rast nga Islami në katolicizëm, të lidhet me kauzë kombëtare dhe me vlerat evropiane, gjegjësisht me hapjen e rrugës për në Bruksel, gjë që tentojnë ta trumbetojnë në publikë eksponentët e lëvizjeve të këtilla propaganduese katolike të kamufluar me kauzën kombëtare. Ta lidhish braktisjen e fesë me “shpëtimin kombëtar”, “shqiptarizmin”, “besën e të parëve”, “rrugën evropiane” dhe “Brukselin”, dhe në veçanti ta promovosh me moton: “Ose je shqiptar, ose je mysliman”, është një diletantizëm i llojit të vet, ngase baballarët e UE-së nuk kanë njohur një gjuhë të këtillë përplot elemente raciste dhe fashiste. Së këndejmi, nuk është e saktë se myslimanët nuk e durojnë dot kalimin nga feja e tyre në të tjera, por myslimanët tregojnë pjekuri për mos ta lejuar diletantizmin të ambalazhohet me flamurin kombëtar dhe vlerat evropiane. Ndërkaq, shprehja e ngazëllimit për prurje të reja në bashkësinë fetare të dikuj, për asnjërën palë nuk do të ishte e dënueshme, përjashto nga kjo popmpozitetin medial si projekt provokues dhe farë urrejtjeje e ndarjeje mes vëllezërve të një gjaku, po pse jo edhe bijve të Ademit në përgjithësi.
Nga mënyra e paraqitjeve të tyre publike, narrativa dhe diskursi që e ndërtojnë në komunikim me masën, kuptohet qartë se fjala është për projekt, e jo për proces, i cili është hartuar dhe tash zbatohet publikisht.
Pretendimet e lidhjes së këtyre tendencave me frustrime nga ligjërata të teologëve muslimanë në veçanti në Kosovë, nuk mbajnë, edhe pse realisht ka vend për diskutim për këtë pikë.
Kjo, ngase ekponentët e tyre më tepër se një herë e kanë komunikuar në paraqitje televizive se edhe sikur të mos kishte qenë gjuha e predikimit të disa teologëve, ajo që ata e quajnë “Islami politik”, “rrymat xhihadiste” etj., përsëri kjo veprimtari do të vazhdonte, pasi ka qenë në pyetje vetëm koha, e jo diçka tjetër.
Kjo qartë dhe pa asnjë dyshim e konfirmon konstatimin se bëhet fjalë për projekt para regjistrimit të popullsisë, dhe s’ka të bëjë me ligjërimin fetar në Kosovë dhe gjithandej në trojet shqiptare, pa çka nëse merret si shkas nga realizuesit e këtij projekti.