Tirane- Me Sali Berishën të marrë zyrtarisht të pandehur nga SPAK, të vënë nën akuzë për korrupsion në aferën “Partizani’ bashkë me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, protesta e një grushti militantësh para bashkisë së Tiranës, këtë të premte, doli hapur në atë që ka qenë qëllimi jo I fshehtë që në nisje të saj: Sulmin ndaj drejtësisë së re që izoloi në banesë ish-kryeministrin
Erion Veliaj të cilit i kërkojnë dorëheqjen nga bashkia e Tiranës për dosjen “5d” kaloi në plan të dytë, dhe goditja u përqendrua ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani.
– I bëj dhe njëherë thirrje kësaj drejtësie të kapur,…thirrini mendjes, se do të keni një fund më të shëmtuar se etërit tuaj, tre dekada më parë.
Tedi Blushi, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, kryetari i së cilës, Ilir Meta është edhe vetë në rrjetën e SPAK, i doli në mbrojtje Sali Berishës deri në thirrje për dhunë ndaj njerëzve të drejtësisë, Veliajt dhe çdo zyrtari që ata mendojnë se është i korruptuar.
Aksioni duhet përshkallëzuar, në çdo zyrë ku fshihen të korruptuarit, në këtë godinë, në Kryeministri, dhe në çdo strofull tjetër krimi dhe në shtëpitë e këtyre hajdutëve. Këta meritojnë ti sekuestrohen dhe rrobat e trupit, është koha ti tregojmë vendin këtij, dhe Dum-Dumanit që guxon të thërrasë liderin e PD.
Të paktë në numër, si në 24 protestat e mëparshme para godinës së bashkisë, militantët në një veprim të paprecedentë I dolën para qytetarëve të rastësishëm që kaluan me automjet pranë protestës, teksa policia po bëhej gati të mbyllte rrugën për të liruar vendin e tubimit.
‘Kjo është një polici e mbaruar’