“Mosnjohja nga 5 vendet ka vështirësuar partneritetin BE-Kosovë”

Mos i humb

Ministria e Integrimit Europian (MIE) e Republikës së Kosovës në kuadër të aktiviteteve të saj për Ditën e Europës organizoi bashkëbisedim me të rinjtë me temë “Çfarë nënkupton integrimi europian për të rinjtë e Kosovës”.

Shefja e Zyrës së Bashkimit Europian (BE) në Kosovë, Natalya Apostolova, gjatë fjalës së saj në hyrje të debatit u shpreh se këtë vit Dita e Europës në Kosovë i është dedikuar reformave në arsim. Ajo tha se: “Kjo nuk është bërë befas. I është dedikuar reformave në arsim sepse Kosova është demokracia më e re në Europë. 80 përqindëshi i popullsisë suaj është i përbërë nga të rinjtë nën moshën 30 vjeçare. Kjo është pasuria më e madhe e Kosovës. Për këtë arsye kjo gjeneratë duhet të përgatitet në mënyrën më të mirë për anëtarësim në BE një ditë. Për ditën kur të rinjtë e juaj mund të garojnë me të rinjtë e partnerëve tuaj europian`.

Duke theksuar se të rinjtë janë shpresa e Kosovës, Apostolova nënvizoi se BE-ja do të investojë edhe më tutje për infrastrukturën arsimore.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Europa është pak skeptike në zgjerim ndërsa shtoi se fakti që Kosovën nuk e ka njohur Serbia dhe 5 vendet e BE-së e ka vështirësuar partneritetin BE-Kosovë.

“Edhe pse ka pasur një lodhje në marrëdhëniet Kosovë-BE vitin që lamë pas, mendoj se e kemi rikthyer dinamikën Kosovë-BE. Edhe raporti i fundit i progresit për vendin është konfirmim se Kosova është në hartë, është pjesë e vendeve të Ballkanit dhe populli dhe rinia e Kosovës nuk janë të pabarabartë, në fakt jemi më të vonuar, por jo të pabarabartë”, tha Haradinaj.

Sa i përket liberalizimit të vizave, Haradinaj tha se me arritjet e deritanishme të Kosovës, këtë vit do të marrim edhe lajmin e mirë në këtë aspekt. “Nëse sot jemi duke folur për liberalizimin e vizave nesër do të flasim për statusin e kandidatit të BE-së apo anëtarësimin, por Kosova ka një rrugë të gjatë deri atje. Pas procesit të liberalizimit të vizave nuk duhet të ja rrisim skepticizmin e evropianëve”, tha kryeministri i Kosovës.

Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, theksoi se kosovarët janë evropianë duke shtuar se “jemi në këtë kohë kur tani gjenerata e re është duke e paguar si çmim procesin e vonuar në integrimin europian.” Ndërsa lidhur me kriterin e mbetur për liberalizim të vizave, ai tha se krimi i organizuar dhe korrupsioni janë kanceri i perspektivës së të rinjve.

“Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk është një luftë e cila përfundon me një datë të caktuar apo le të themi në mënyrën më brutale të shkojmë edhe me një arrestim të një personi apo grupi të caktuar për arsye se ato zhvillohen për aq sa mund të zhvillohet edhe degradimi apo deformimi i shoqërisë sonë. Lufta duhet të jetë permanente”, tha ai.

Kujtojmë se me rastin e Ditës së Europës që shënohet më 9 maj, MIE më 7, 8 dhe 9 Maj, organizon një sërë aktivitetesh, dedikuar kësaj dite./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit