MPJD: Nuk ka dështuar anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës

Mos i humb

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës reagoi pas disa raportimeve duke thënë se nuk është votuar kundër dhe nuk ka dështuar anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.

Gjatë së premtes, pati raportime se anëtarësimi është hedhur poshtë, mirëpo MPJD thotë se procedura e anëtarësimit është komplekse dhe janë disa keqkuptime dhe keqinterpretime të bëra së fundi.

“Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës nuk është votuar kundër dhe nuk ka dështuar. Përkundrazi, që nga 12 maji i vitit 2022 janë bërë përparime të rëndësishme përgjatë procesit të anëtarësimit”, thotë MPJD.

Ministria thotë se në muajin shtator të vitit 2022, nga vet Sekretariati i Këshillit të Evropës është dhënë interpretim ligjor mbi aplikimin e Republikës së Kosovës, i cili konfirmon qartë se nuk ka asnjë pengesë ligjore për anëtarësimin e Republikës së Kosovës si anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Para dorëzimit të aplikimit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës thotë se është koordinuar me të gjithë partnerët ndërkombëtarë dhe përgjatë lobimit të pandërprerë ka siguruar mbështetjen të gjerë për ta kaluar fazën e parë të procesit të anëtarësimit.

Ministria sqaron se aplikimi i Republikës së Kosovës është në fazën e parë. Më saktësisht, në fazën kur Komiteti i Ministrave duhet të kërkojë opinionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

“Në këtë fazë të parë të vendimit në Komitet të Ministrave nuk ka përcaktim të standardeve për fillim të anëtarësimit. Rrjedhimisht, çfarëdo kushtëzimi i mundshëm në këtë fazë do të ishte kundër Statutit të Këshillit të Evropës, praktikave të anëtarësimit dhe vlerave të organizatës”, vijoi MPJD.

MPJD thotë se Qeveria e Republikës së Kosovës ka thyer status-quo e dëmshme të ndalimit të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në organizata dhe instrumente ndërkombëtare dhe po angazhohet që Republika e Kosovës të anëtarësohet në organizata nga të cilat qytetarët e Republikës kanë përfitimet më të mëdha.

“Procesi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës është i pakthyeshëm dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të angazhohet që faza e parë të kalohet sa më parë”, përfundon komunikata e MPJD.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit