Mulleti vendi prej ku vjen legjenda për Tiranën dhe patrioti e imami Teqja!
Nga: Abdullah Klinaku
Themelimi i qytetit të Tiranës është i lidhur me legjendën e Sylejman Pashës së Mulletit dhe me xhaminë e ndërtuar prej tij në vitin 1614, e njohur si Xhamia e Vjetër.
Fillet e këtij qyteti, që sot është metropoli shqiptar janë prej vitit 1604 kur Sylejman Pasha nisi ndërtimin e një furre dhe të po kësaj xhamie.
Edhe tregimi ynë real e i dëshmuar edhe pse monizmi e fshehu, lidhet me hoxhën e Mulletit.
Në fshatin rreth 12 km larg Tiranës, lindi hoxha i Mulletit në vitin 1870 dhe vdiq në vitin 1953. Pra, jetoi në kohërat më turbulente politike, kulturore e sociale.
Hoxha i edukuar në Medresenë e Tiranës e i shkolluar në Stamboll ishte frymëzuar, pajisur dhe aftësuar me dijet më të nevojshme dhe më përparimtare të kohës. Ishte njohës i gjuhës osmane dhe italiane.
Edukimi i tij e kishte mësuar se mbrojtja e Atdheut është detyra primare e besimtarit. Kështu që në rrethimin e Shkodrës në vitin 1913, hoxha gjendet në istikame së bashku me dy vëllezërit e tij, në mbrojtje të Shkodrës.
Edhe në vitin 1915 kur Tirana rrezikohej nga pushtimi, hoxha ishte krah për krah me luftëtarët vullnetar në mbrojtje të saj.
Imami i xhamisë së Mulletit, u ballafaqua me gjyqe politike dhe dënime deri me vdekje të cilat u zëvendësuan me internim në Itali. Herën e parë internohet për 7 vite, ku 4 prej tyre i mban dhe herën e dytë në moshë të shtyrë internohet përsëri!
Hoxha pas tejkalimit të vështirësive i kthehet xhamisë dhe edukimit. Pasi që në rininë e tij i kishte funksionalizuar klasat për mësimin e fëmijëve, tani pas luftës vazhdon misionin e tij për arsimin e edukimin e rinisë.
Tashmë edukimi për të kishte edhe një dimension tjetër. Dimensionin e edukimit të vajzës për çka dy vajzat e tij i dërgoi në shkollë.
Hoxha ishte shembull i edukimit e përparimtar.
Zoti në mesin e dijetarëve, të sinqertëve dhe të mirëve e ringjalltë, hoxhën Ismail efendi Mulletin – Teqja.