Nafta në Shpirag, MIE: Nuk ka asnjë mbyllje të kërkimeve

Mos i humb

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka dalë në një deklaratë për shtyp ku thotë se procesi i kërkimeve për naftëgazmbajtjen në zonën e Shpiragut vazhdon me vështirësitë përkatëse si pasojë e formacionit gjeologjik tejet kompleks të nëntokës së kësaj zone.

Tanimë jemi në fazën kur është shkencërisht i provuar dhe i dokumentuar, zbulimi i një depozite të konsiderueshme prej 225 milionë barrelash rezervë nafte, si edhe një rezervë domethënëse gazi në nëntokën e Shpiragut. Sipas ministrisë, testet e cilësisë së naftës në këtë rezervë kanë dhënë një rezultat të shkëlqyer.

“Me një gravitet që varion midis 35-37o API (American Petroleum Institute) ose e thënë ndryshe, një cilësi në thuajse të njëjtët parametra me naftën e vendeve avangardë në tregun e arit të zi”, thuhet në njoftimin e MIE-s.

Koha e finalizimi i procesit të nxjerrjes së kësaj sasie nafte për treg, kushtëzohet nga gjeologjia shumë specifike e nëntokës së Shpiragut dhe adoptimi i një teknologjie të veçantë për shfrytëzimin e rezervës.

“Prandaj edhe kompania Shell, specialistët e fushës, si edhe autoritetet shtetërore kanë qenë vazhdimisht të kujdesshëm për afatet kohore të nevojshme”, njofton ministria.

MIE thotë se marrëveshja më Shell qëndron në fuqi.

“Por në kushtet e dizinformimit të ditëve të fundit, nga mungesa e informacionit të nevojshëm apo dashakeqësia me frymëzim politik, del nevoja e nënvizimit publikisht të së vërtetës se kjo është një marrëveshje hidrokarbure në fuqi dhe se nuk ka asnjë mbyllje të kërkimeve në Shpirag, por ka vetëm kërkim për zgjidhjen e duhur teknologjike për vënien në shfrytëzim të një pasurie nëntokësore tanimë të zbuluar. Është për të ardhur keq që me një ngut cinik disa burime dizinformimi kanë rendur të njoftojnë dështimin e kërkimeve në një prej vendburimeve më të rëndësishme të vendit tonë, duke u përpjekur të bëjnë politikë partiake edhe me këtë proces tërësisht teknik dhe qartësisht me interes kombëtar”, tha MIE.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë sqaroi opinionin publik se qeveria vijon punën, në ndërveprim me kompanitë partnere për të bërë të finalizuar procesin e shfrytëzimit të naftës së zbuluar në zonën e Shpiragut, “në pritje të lajmeve të tjera të mira në zona të tjera naftëmbajtëse në vend, ku ka të dhëna shumë inkurajuese”.

Reagimi i MIE erdhi pasi Partia Demokratike deklaroi se Shell është tërhequr nga Shpiragu.

“Kompania Shell konfirmoi tërheqjen përfundimtare nga puset e Shpiragut. Fatkeqësisht nuk do të ketë shpime të mëtejshme dhe as një ‘mrekulli nafte’, siç gënjen Rama. Lajmi ishte konfirmuar thuajse zyrtarisht nga shmangia e këtyre muajve e Ramës dhe Ballukut, sa here qe gazetaret pyesnin për këtë çështje”, tha më herët anëtari i kryesisë së PD, Eno Bozdo.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit