Ndërtohet rruga që lidh Kosovën me Shqipërinë

Mos i humb

Gjatë ditës së sotme është përuruar rruga Krushevë-Shishtavec, në Dragash, rrugë kjo e cila lidh Kosovën me Shqipërinë.

Ndërtimi i kësaj rruge është financuar nga Bashkimi Europian dhe investimi është pjesë e Programit për Bashkëpunim Ndërkufitar të IPA-s dhe si synim ka lehtësimin e komunikimit në mes të banorëve nga të dy anët e kufirit.

Në përurim të kësaj rruge prezent ishte edhe shefja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, zv/kryeministri i Kosovës Fatmir Limaj, ambasadori i Shqipërisë Qemajl Minxhozi e përfaqësues të tjerë të institucioneve të Kosovës.

Me këtë rast shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova e cila tha se nëpërmjet fondeve të BE-së dhe zyrave te BE-së në Kosovë dhe në Shqipëri është mundësuar ky investim.

Ajo bëri të ditur se shuma e investimeve është 1 milion euro për secilin vend.

“Ne mirëpresim që ky veprim do të lehtësojë qasjen ndërkufitare përmes komunikimit më të mirë dhe më të lehtë të njerëzve dhe banorëve në të dy anët e kufirit të cilët kanë lidhje kulturore, dhe të njohura për njëri-tjetrin. Banorët e komunave Shishtavec dhe Dragash janë të përkatësisë etnike shqiptare dhe gorane. Rritja e komunikimit dhe qasjes në mes të dy anëve të kufirit do të maksimizoj shkëmbimet kulturore midis dy komuniteteve etnike. Do të përmirësojmë zhvillimin ekonomik të zonës ndërkufitare përmes qasjes së përmirësuar për turistë që dëshirojnë të vizitojnë të dy vendet”, tha ajo.

Shefja e BE-së në Kosovë theksoi se gjatë zbatimit të projektit kanë hasur në vështirësi dhe jo të gjitha janë zgjidhur, pasi një pjesë e rrugës nuk është në gjerësinë e duhur për shkak të problemit me tokat, pasi pronarët e tokave dëshirojnë të paguhen me shumë se sa vlerësimi i bërë

Në emër të Qeverisë së Kosovës, zv/kryeministri Fatmir Limaj ka falënderuar Bashkimin Europian për këtë investim, ndërsa ka thënë se ndërtimi i kësaj rruge do të ndihmojë qytetarët e kësaj zone.

“Sot po iu krijojmë mundësi banorëve andej e këtej kufirit që të komunikojnë, të bashkëpunojnë, të shkëmbejnë, ndihmojnë njëri tjetrin dhe të dalin nga izolimi. Për ne është shumë e rëndësishme që komuniteti ynë këtu që jeton në këtë pjesë të Kosovës ta rrit komunikimin dhe bashkëpunimin me pjesën shqiptare. Zgjedhja e këtij projekti nga BE është simbolik  në vete se miqtë tanë i shohin nevojat që ndihmojnë kombin dhe Qeverinë qendrore që së bashku me këtë projekt të zhvillojmë hapësirë që njerëzit të jetojnë të lumtur dhe shpresoj që herën tjetër kur të vijmë në këtë vend të bëjmë përurim të ndonjë fabrike apo biznesi”, tha Limaj.

Numri dy i Qeverisë së Kosovës u ka bërë apel banorëve të Dragashit që të shfrytëzojnë bukuritë natyrore dhe mundësitë që ky vend iu ofron.

Kurse, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi, deklaroi se ndërtimi i kësaj rruge është shumë i rëndësishëm për banorët e të dyjave shteteve.

“Është një ndjesi shumë e mire për ne, por më e madhe është për banorët e të dy anëve të kufirit. Sot njerëzit lëvizin lirshëm mallrat e tyre dhe besoj që do të ketë një input shumë pozitiv në marrëdhëniet ndërkufitare, më marrëdhëniet e kompanive të ndryshme. Dy janë resurset kryesore që mund të përdoren nga ndërtimi i kësaj rruge, bujqësia dhe turizmi. “, tha ai.

Shtrimit të kësaj rruge ju ka gëzuar edhe kryetari i komunës së Dragashit, Shaban Shabani, i cili u shpreh se më në fund banorët e kësaj zone po dalin nga izolimi.

“Nga sot po fillojmë të dalim nga izolimi i kahmotshëm për të gjithë qytetarët tanë. Nga sot është një ditë historike për banorët tanë këndej dhe andej kufirit se po bëhet një komunikim i drejtpërdrejtë në infrastrukturë. Po bëhet një komunikim i drejtpërdrejt në sfera të tjera që do të ndikojnë edhe në zhvillimin ekonomik dhe ngritjen e mirëqenies tek qytetarët”, tha kreu i Dragashit./kp/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit