“Në Perëndim thuajse aspak nuk njihen masakrat ndaj muslimanëve”

Mos i humb

Historiani amerikan, William Holt, tha se Perëndimi ka ngurruar t’i shikojë turqit si viktima dhe i ka nënvleftësuar dhimbjet e tyre gjatë historisë.

Këto komente Holt i bëri në një konferencë të Institutit Turk të Historisë (TTK) në Ankara të titulluar “Humbja e Ballkanit: Muhaxhirët e harruar të Luftës së 93-tës”, e cila i referohet Luftës Ruso-Osmane të viteve 1877-1878 dhe njihet edhe si Lufta e 93-tës për shkak të vitit hënor 1293 në të cilin u zhvillua.

Në konferencë, Holt prezantoi edhe librin e tij të fundit “The Balkan Reconquista and Turkey’s Forgotten Refugee Crisis”.

Ai tha se në këtë libër trajton Luftën Ruso-Osmane, duke shtuar se kjo ishte një nga betejat më të ashpra të kohës, ku shumë persona humbë jetën ose u detyruan të migrojnë.

Holt tregoi se në libër ka përfshirë edhe histori të të shpërngulurve muslimanë të cilët u detyruan të migrojnë si pasojë e kësaj lufte. Në libër, tha ai, trajtohen edhe tema si sistemi shtetëror osman, nacionalizmi bullgar, antiturqizmi dhe orientalizmi.

Ai theksoi se teksa vuajtjet e të krishterëve para 142 viteve në luftë përmenden, ato të muslimanëve shpërfillen.

“Në Perëndim, masakrat me të cilat u përballën muslimanët, dhimbjet e tyre, thuajse nuk njihen aspak. Ndërkaq, këto ngjarje mohohen në Ballkan”, tha Holt.

Sipas tij, ekzistojnë informacione shumë të gabuara mbi ndikimin e Perandorisë Osmane në Ballkan.

“Në Perëndim, deri më tani kemi parë vetëm imazhin e një turku keqbërës. Sipas Perëndimit, turku gjithmonë ka qenë keqbërës, asnjëherë nuk ka qenë i shtypuri. Perëndimi asnjëherë nuk i ka shikuar turqit si viktima dhe të shtypur, ndërsa kur kanë folur për vuajtjet e turqve, gjithmonë i kanë nënvleftësuar ato”, tha historiani amerikan Holt.

Kush është William Holt?

Historiani amerikan Holt ka përfunduar studimet e magjistraturës mbi Lindjen e Mesme në Universitetin e Utah-s në vitin 2014.

Këtë vit, Shtëpia Botuese e Universitetit të Utah-s botoi librin e tij “The Balkan Reconquista and Turkey’s Forgotten Refugee Crisis”.

Holt është studiues i çështjeve historike në fushën e migrimit, linguistikës dhe kulturës.

Ai është njohës i nëntë gjuhëve, përfshirë edhe gjuhën turke.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit