Në rajonin Donbas në lindje të Ukrainës si pasojë e hapjes së zjarrit nga separatistët pro-rusë janë plagosur 2 ushtarë ukrainas dhe një civil, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga Forcat e Armatosura të Ukrainës thuhet se separatistët pro-rusë dje kanë shkelur 21 herë armëpushimin.
Separatistët kanë kryer sulme në rajonet Zolote, Novooleksandrivka, Svitlodarsk, Pishevik, Krasnohorivka të Donbasit dhe në disa zona të tjera, thuhet në deklaratën në të cilën theksohet se si pasojë e zjarrit të hapur u plagosën 2 ushtarë nga ushtria e Ukrainës dhe një civil.
Ndër të tjera bëhet e ditur se lidhur me çështjen janë njoftuar përfaqësuesit e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Tensionet në kufirin Ukrainë-Rusi
Shefi i Shtabit të Ukrainës, Ruslan Khomchak në një fjalim të mbajtur në Parlament më 30 mars tha se Rusia me arsyetimin e stërvitjes ka kryer grumbullime ushtarake në afërsi të kufijve të Ukrainës.
Lidhur me zgjidhjen e krizës në rajonin Donbas, Grupi i Kontaktit Trepalësh i përbërë nga Rusia, Ukraina dhe OSBE-ja mori vendimin për një armëpushim gjithëpërfshirës që nga 27 korriku 2020.
Në konfliktet që vazhdojnë që prej vitit 2014 mes qeverisë së Kievit dhe separatistëve pro-rusë të cilët kanë shpallur në rajon të ashtuquajturën pavarësi, kanë humbur jetën mbi 13 mijë persona.


