Nënshkruhen marrëveshjet për projekte mes Qeverisë së RMV-së dhe komunave

Mos i humb

Në ambientet e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut sot janë nënshkruar marrëveshjet për realizim të projekteve për zhvillim të fshatrave dhe zonave me nevoja specifike.

Përpos kryetarëve të komunave projektet e të cilave u përzgjodhën të financohen, të pranishëm ishin edhe zv/kryeministri i Maqedonisë së Veriut për çështje ekonomike, Koço Angjushev, ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Goran Milevski dhe drejtori i Byrosë për zhvillim të barabartë rajonal, Ramiz Rexhepi.

Zv/kryeministri Angjushev tha se kjo është ngjarja e dytë këtë vit që shpërndahen mjete nga Programi për zhvillim të barabartë rajonal, për të cilin tha se këtë vit janë paraparë 7 milionë euro.

“Tani praktikisht do të nënshkruhen kontrata për 74 projekte të cilat janë projekte specifike dhe në zona rurale, pra projekte për zona me nevoja specifike. Do të jenë 35 projekte për zhvillim nëpër fshatra dhe 39 projekte për zhvillim të zonave me nevoja specifike. Do të ndahen përafërsisht dy milionë euro”, tha Angjushev.

Ministri Milevski tha se projektet kryesisht fokusohen në investimet në infrastrukturë, duke theksuar se autoritetet janë të vetëdijshme se akoma ka dallime të mëdha në zhvillimin e rajoneve të ndryshme, veçanërisht nëse bëhet krahasimi mes mjediseve urbane dhe rurale.

“Bëhet fjalë për projekte relativisht të vogla por të njëjtat kanë domethënie të madhe për banorët e vendbanimeve rurale të cilat zgjidhin probleme konkrete dhe i përmirësojnë kushtet e jetesës”, tha Milevski.

Drejtori Rexhepi tha se për dallim prej viteve të kaluara, këtë vit ka pasur më shumë projekte, duke shtuar se Qeveria do të përkushtohet që viteve të ardhshme të sigurojë mjete për të gjitha projektet për të cilat do të aplikojnë komunat.

“Nuk mund të themi se komunat nuk kanë projekte, siç mund të ketë qenë më herët kur komunat nuk kanë pasur projekte. Këtë e them për shkak se ne jemi institucioni i cili i pranon aplikimet kur bëhet thirrja për projekte, dhe këtë vit mund të konkludoj se kishim më shumë projekte se sa kemi pasur para”, tha Rexhepi.

Këtë vit, nga ky program kanë përfituar gjithsej 54 komuna. Në mesin e projekteve të financuara përfshihet ndërtimi i rrugëve, kanalizimeve, riparimi i shkollave, si dhe projekte ekologjike, kryesisht për zonat rurale.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit