Zbardhen detaje të reja lidhur me sulmin e armatosur në Erbil

Mos i humb

Detaje të reja kanë filluar të shfaqen në lidhje me sulmin e djeshëm të armatosur në një restorant në Erbil të Irakut, në të cilin jetën e humbi një diplomat turk.

Sipas të dhënave që AA ka siguruar nga zyrtarët e policisë së Rajonit Autonom Kurd dhe zyrtarëve lokalë, tre persona me një automjet me targa të falsifikuara kanë ardhur fillimisht para restorantit dje rreth orës 11:30 sipas kohës lokale.

Pas zbritjes nga automjeti, sulmuesit kanë inspektuar vendin dhe më pas janë larguar nga zona për të ardhur sërish pas gjysmë ore me një person më shumë pranë tyre.

Dy nga sulmuesit kanë hyrë në restorant, kurse dy të tjerë kanë pritur automjetin e parkuar para lokalit. Agresorët që kanë hyrë brenda janë ulur në një tavolinë afër diplomatit turk dhe kanë bërë porosi.

Sipas të dhënave të siguruara, dy sulmuesit kanë filluar të kryejnë aktin në kohën kur diplomati turk kërkoi llogarinë për të bërë pagesën. Njëri nga sulmuesit ka nxjerrë armën me silenciator nga beli i tij dhe nga një distancë e shkurtër ka shtënë drejt diplomatit të konsullatës turke.

Ndërkohë, sulmuesi tjetër ka hapur zjarr ndaj dy klientëve irakianë që janë ngritur në këmbë, nga të cilët njëri humbi jetën në vendin e ngjarjes, kurse tjetri ndërroi jetë në spital.

Gjatë sulmit, siç mësohet, një truprojë që thuhet të ketë shoqëruar diplomatin turk ka hapur zjarr në drejtim të sulmuesve, me ç’rast njëri prej autorëve ka mbetur i plagosur gjatë ikjes nga vendi i ngjarjes.

Sulmuesit kanë arritur të arratisen së bashku me dy personat e tjerë që prisnin në automjet.

Siç theksohet, fytyrat e autorëve të sulmit mund të shihen qartë në kamerat e sigurisë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit