Nesër protestë në Tiranë/ Çfarë pritet…

Mos i humb

Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës ka paralajmëruar një protestë në orën 11:00 të ditës së diel në kryeqytet, para Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Arsyeja, sipas sindikatës, lidhet me shtypjen e minatorëve dhe injorimin e kërkesave që sindikata i ka bërë kompanisë “AlbChrome”, pjesë e grupit Balfin – konglomerati më i madh industrial dhe tregtar në Shqipëri, nën pronësinë e Samir Manes.

Në një reagim publik, sindikata shprehet se “Ministria e Financave nuk na përgjigjet për kontratën kolektive” dhe u ka bërë thirrje qytetarëve tu bashkohen në protestë.

“Shteti mbahet në këmbë nga djersa jonë, por ai nuk kujdeset për fatin tonë. Ky shtet i korruptuar është bërë palë me shtypësit e minatorëve. Ministria e Financave nuk na përgjigjet për kontratën kolektive. Kryeministri Rama krenohet që në Shqipëri nuk ka sindikata. Inspektorati i Punës mbyll sytë përpara aksidenteve fatale në minierë dhe shkeljeve të rënda të Kodit të Punës. Për minatorët nuk flet as Radio Televizioni Shqiptar, në shkelje të plotë të ligjit për të drejtën e informimit që qytetarët shqiptarë duhet të gëzojnë. Në këto kushte, ne minatorët e Bulqizës, pas një beteje dymujore të pabarabartë me kompaninë AlbChrome, të dielën do të marshojmë në protestë përballë institucioneve shtetërore në Tiranë. Nga e hëna në të shtunë rrezikojmë jetën për të nxjerrë krom. Të dielën do të nisemi drejt Tiranës për t’u kërkuar llogari institucioneve publike që duhej të ishin në anën tonë”, thuhet në një reagim të sindikatës.

“U bëjmë thirrje qytetarëve të Tiranës të na mbështesin në betejën për këto kërkesa jetike: të drejtën e negocimit të kontratës kolektive, rritjen e pagës, rishikimin e normës, njohjen e vështirësisë dhe vjetërsisë në punë, dëmshpërblimin për aksidentet në punë, ndaljen e presioneve dhe kthimin në punë të minatorëve të pushuar padrejtësisht nga puna. Miniera është pasuria jonë e përbashkët. Të dielën, 26 janar, në orën 11:00 mblidhemi te Ministria e Financave dhe Ekonomisë (Bulevardi Dëshmorët e Kombit).Bashkohu me minatorët”, mbyllet deklarata.

VV në mbështetje të minatorëve

“Lëvizja VETËVENDOSJE” ka dalë në mbështetje të protestës së minatorëve dhe kërkesave të tyre.

“Ministria e Financave nuk është duke i dhënë përgjigje sindikatës së minatorëve për kontratën kolektive, ndërkohë që Inspektoriati i Punës nuk ka ndërmarrë masa ndaj shkeljeve të rënda të të drejtave të punëtorëve dhe të Kodit të Punës. Rikujtojmë se 27 punëtorë kanë humbur jetën në galeritë e minierave të Bulqizës dhe Martaneshit prej vitit 2014, dhe shumë të tjerë kanë pësuar lëndime të rënda në punë. Ndërkohë kompania koncesionare ‘AlbChrome’ ka hequr nga puna 4 minatorë sindikalistë, dhe ka kërcënuar shumë të tjerë me pushim nga puna vetëm për shkak se janë organizuar e bashkuar në sindikatë – një e drejtë e tyre kushtetuese. Pasuritë nëntokësore të Shqipërisë janë pasuri publike. Shkeljet e të drejtave të minatorëve janë shkelje mbi të gjithë shqiptarët. I bëjmë thirrje qytetarëve të bashkohen në këtë protestë në solidaritet me minatorët e Bulqizës”, thuhet në një reagim të VV.

Vlerësimi i Inspektoriatit të Punës

Përmes një raporti përfundimtar më 27 dhjetor, Inspektoriati Shtetëror i Punës mbylli hetimet për kompaninë minerare Albchrome, duke mos gjetur shkelje në shkarkimin e 4 minatorëve-anëtarë të sindikatës së re.

Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës e cilësoi hetimin të cekët dhe të njëanshëm.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit