Nga shtëpia 3 kate në Tiranë te “dhurata” 32 milionë lekë e MSH për kurimin e të birit, “ngec” në Vetting gjyqtarja e dosjes “Gërdeci”

Mos i humb

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur sot të shkarkojë nga detyra gjyqtaren Shefkie Mata (Demiraj), e cila ushtronte detyrën në Gjykatën e Tiranës.

Mata është gjyqtarja e fundit që del para Vettingut, nga lista e gjyqtarëve që ka pasur në dorë dosjen “Gërdeci”.

Ajo ka qenë pjesë e trupës gjykuese të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë që përbëhej nga Fatmira Hajdari dhe Ridvan Hado, të cilët vendosën në mars të vitit 2012 për 29 të pandehurit e çështjes duke shpallur 7 prej tyre të pafajshëm.

Mata është shkarkuar pas verifikimeve të kryera nga KPK në tre kriteret e vlerësimit të figurës, nga të cilat rezulton se gjyqtarja nuk justifikon plotësisht me burime të ligjshme të ardhurash një shtëpi 3 kate + papafingo në Tiranë.

Banesa është ndërtuar gjatë periudhës 1998-2012 dhe ka sipërfaqe totale rreth 461 m2, ndërsa vlera e deklaruar shkon në 20 milionë lekë.

Edhe blerja e një “Benz-i” me vlerë 950 mijë lekë në vitin 2014 duket se ka lënë “shije” të hidhur te Komisioni i Vettingut.

Ndërkohë, vëzhguesi ndërkombëtar Steven Kessler u ndal te shuma 3.2 milionë lekë që Mata ka marrë dhuratë nga Ministria e Shëndetësisë për kurimin e djalit të saj.

Gjyqtarja u përgjigj se nuk kishte bërë asnjë kërkesë për diçka të tillë, ndërsa shtoi se ndoshta dikush që kishte qenë i pranishëm në momentin kur mjekët kishin njoftuar se djali gjendej në situatë kritike për jetën pas një aksidenti të rëndë automobilistik, mund të kishte pyetur.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit