Nga sot çmime dukshëm më të ulëta të roamingut në rajon

Mos i humb

Çmimet e roamingut në vendet e Ballkanit Perëndimor nga sot edhe zyrtarisht do të jenë më të ulëta me rreth 27 për qind ndërsa nga korriku i vitit 2021 planifikohet heqja e të gjitha tarifave shtesë të roamingut.

Çmimet do të ulen në bazë të Marrëveshjes për Uljen e Çmimeve për Shërbimet Roaming, të nënshkruar në prill të këtij viti në Samitin Digjital të Ballkanit Perëndimor në Beograd, i cili hyri në fuqi sot.

Marrëveshja u përgatit nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (KBR), Komisioni Evropian dhe qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Çmimet do të kufizohen në 0.19 euro për minutë, 0.06 euro për SMS dhe 0.2 euro të megabajtit për internet.

Kostoja e roamingut me Shqipërinë do të reduktohet nga 86 për qind deri në 97 për qind, pasi Shqipëria dhe Kosova deri më tani nuk kanë qenë pjesë e marrëveshjeve të nënshkruara në vitn 2014 nga Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovina.

Çmime më të ulëta të roamingut së shpejti edhe në BE

Me marrëveshjen e re rajonale për roaming në korrik të vitit 2021, nuk do të ketë pagesa shtesë për roaming për të gjithë përdoruesit në vendet e Ballkanit Perëndimor ndërsa qytetarët do të paguajnë çmime të rregullta sikur të përdorin ato shërbime në vendet e tyre. Në këtë mënyrë, më shumë se 15 milionë njerëz në rajon do të ndiejnë drejtpërdrejt lehtësinë e komunikimit të pandërprerë, në të njëjtën mënyrë si qytetarët e BE-së.

“Plani është që Ballkani Perëndimor gradualisht të ul çmimet, derisa të vijë në heqjen e tyre nga korriku i vitit 2021. Kur është arritur marrëveshja rajonale, BE-ja ka paralajmëruar bisedimet për uljen e çmimeve për Ballkanin Perëndimor, të cilat së shpejti do të fillojnë. Kjo do të thotë se në të ardhmen e afërt qytetarët tanë që udhëtojnë në BE do të paguajnë ndjeshëm më pak koston e roamingut se më parë. Të jemi pozitiv dhe le të besojmë se BE-ja do të japë rezultate, siç ka dhënë rezultate bashkëpunimi rajonal në rastin e marrëveshjeve për uljen e çmimeve të roamingut”, ka thënë për AA Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e KBR-së.

Ajo thekson se çdo ditë mban kontakt me njerëz nga rajoni dhe se ata kanë shprehur kënaqësinë nga ky lajm. Ajo rikujtoi se, sipas KBR-së “Barometri Ballkanik 2019”, 70 për qind e sipërmarrësve në rajon beson se ulja e çmimeve të roamingut do të jetë i dobishëm për punën e tyre.

“Çka nënkupton ky ndryshim do ta spjegoj me shembullin e çmimit të dhënë nga rregullatorët, të cilat janë në fuqi deri më sot, në krahasim me çmimet e mëparshme: Në Shqipëri, për shembull, dallimi është drastik. Rënia e çmimeve është në mes 86 dhe 97 për qind, ashtu që thirrjet dalëse në roaming para marrëveshjes kanë kushtuar 1.72 euro për minutë, ndërsa që nga sot, më 1 korrik, çmimi i tyre do të jetë 0.228 euro për minutë. Transferimi i të dhënave në roaming ka kushtuar 2.92 euro të megabajtit për thirrje në internet ndërsa çmimi i ri do të jetë 0.216 euro”, shpjegoi Bregu.

Zgjerimi i trendit të digjitalizimit

Ajo shtoi se dallimi është i dukshëm edhe në Serbi, ku ka arritur një reduktim në mes 20 dhe 87 për qind.

“Ajo çfarë do të paguanit për thirrje telefonike dalëse në roaming deri në korrik (0.23 euro për minutë) tani do të jetë 0,093 euro, ndërsa çmimi i transferimit të të dhënave, e cila ishte 0.25 euro për megabajt, nga sot do të jetë 0,033 euro. Kufiri i çmimeve është i ngjashëm në të gjithë rajonin”, tha Bregu.

Bregu theksoi se vendet e rajonit po punojnë në disa fronte dixhitale, siç janë siguria kibernetike, infrastruktura dixhitale, politika e internetit, e-administrata.

Ajo pohon se ekziston bashkëpunimi në të gjitha këto fusha, grupet teknike rajonale takohen rregullisht, diskutojnë dhe shkëmbejnë përvojat me qëllim që politikat kombëtare të përputhen me kërkesat evropiane, por edhe t’i përshtaten nevojave të një shoqërie moderne.

Bregu beson se do të duhet pak kohë para se qytetarët të ndjejnë rezultatet konkrete, të tilla si roamingu, por se edhe bashkëpunimi definitivisht ekziston.

“Të gjitha këto janë komponentët e enigmës dixhitale, e cila duhet të çojë në shoqëri moderne dhe dixhitale në rajon ndërsa trendi i dixhitalizimit do të përhapet në shumë fusha sociale, si arsimi, trajnimi profesional, punësimi, përshtatja e kërkesës së tregut të punës me aftësitë në dispozicion ose përmirësimin e fuqisë punëtore të disponueshme, por edhe forcat e reja punëtore t’i përmbushin nevojat moderne. Ky është një sistem i komplikuar që kërkon që çdo rrotë e këtij mekanizmi të funksionojë mirë”, tha Sekretarija e Përgjithshme e KBR-së.

“Së bashku jemi më të fortë ndërsa të ndarë rrënohemi”

Bregu beson se këto janë kohë sfiduese për rajonin, për shkak se ka disa çështje të nxehta që duhet të zgjidhen në mënyrë bilaterale, por se me vullnetin e tanishëm politik dhe me stimulimin e BE-së, të gjitha mund të zgjidhen.

“Ekonomitë në rajon individualisht janë shumë të vogla për të funksionuar të vetme dhe ata këtë e kuptojnë. Dua të shoh që të mbizotërojë vetëdijësimi se “së bashku jemi më të fortë dhe të ndarë rrënohemi’, duke kërkuar një jetë më të mirë për të gjithë ne”, ka thënë Bregu.

Në fund, ajo potencoi se Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, detyra kryesore e të cilit është të ndihmojë rajonin në rrugën e tij drejt evropianizimit, do të punojë në ato fusha për të cilat ekonomitë e rajonit pajtohen se kanë nevojë për ndihmë për arritjen e këtij qëllimi.

“Bashkëpunimi rajonal është çelësi i progresit të rajonit, por edhe një provim i madh për të ardhmen e saj evropiane. Bashkimi Evropian nuk është gjë tjetër veçse një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit rajonal të mirë dhe pa pengesa”, përfundoi Bregu.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit