Prishtinë, hapet panairi për gratë ndërmarrëse

Mos i humb

Në platonë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë është hapur panairi për gratë ndërmarrëse nga komunitete të ndryshme, i organizuar nga Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Rreth 100 gra ndërmarrëse nga rajone të ndryshme të Kosovës dhe komunitete të ndryshme si shqiptare, turke, boshnjake, kanë zënë tendat me produkte ushqimore, veshmbathje dhe punime artizanale ku do të promovojnë produktet që bëjnë ato.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jan Braathu, tha se është një hap i vogël, por që do të ekspozojë gratë ndërmarrëse nga vende të ndryshme në një vend.

“Ekonomia është sigurisht fundamentale dhe roli i grave në ekonomi është i nënvlerësuar. Duke folur nga perspektiva rajonale, kur një nga ministrat tanë (unë vi nga Norvegjia), disa vite më parë tha se ‘ajo që e bën ekonominë e Norvegjisë shumë të suksesshme ishte inkuadrimi i gruas në forcën punëtore”, theksoi Braathu.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari-Lila tha se edhe 20 vjet pas luftës së fundit në Kosovë ende ka nevojë të tregohet se ka nevojë që 50 për qind e potencialit të grave të jenë pjesë e kontributit në ekonomi.

“Kosova do të jetë një vend i zhvilluar dhe stabil vetëm kur do të ketë barazi dhe kjo barazi do të fillojë në momentin kur të gjitha gratë dhe vajzat do të ndihen se nuk e kanë asnjë pengesë në rrugëtimin e tyre për fuqizim. Qofshin në inkuadrimin akademik dhe ngritjen e aftësive të shkollimit, qofshin në inkuadrimin ekonomik dhe ngritjen e aftësive ndërmarrëse”, tha Kusari-Lila.

Zëvendësministrja e Zhvillimit Rajonal, Magbule Shkodra tha se gratë duhet ta përkrahin njëra tjetrën për zhvillim në të gjitha fushat. Shkodra bëri thirrje që çdo grua duhet ta bëjë betim në vetë që të kontribuojë për rolin e grave çdo ditë. Ajo tha se fakti i zhvillimit të këtij panairi tregon që “ekonomia po i thyen barrierat e tjera në shoqëri”.

Panairi do të jetë i hapur për publikun sot dhe nesër nga ora 10:00 deri në orën 12:00 përgjatë dy ditëve. Në këtë panair morën pjesë edhe ambasadori i Turqisë në Kosovë, Çağrı Sakar si dhe koordinatori i TIKA-s në Kosovë, Hasan Burak Ceran.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit