“NISMA dhe partia e re social-demokrate mund të bashkëpunojnë për shkak të parimeve”

Mos i humb

Kur integrohesh në parti është më mirë të shkohet në parti më të vogla sepse aty të jepet hapësira më e madhe, thotë në intervistë ish gazetari, moderatori dhe redaktori i lajmeve Resul Sinani, tanimë anëtar i “Nismës Social- demokrate”.

Ai theksoi se dalja e tij nga RTK-ja erdhi si rezultat i kushteve të këqija që i ofroheshin atje.

Duke shtuar se arsyeja e anëtarësimit të tij në ‘NISMA’ është për shkak të hapësirës që i është dhënë, dhe parimeve që ka kjo parti si ‘social- demokrate’. Ai tregoi se si partia ku ai merr pjesë mund të bashkëpunoi me partinë tjetër të re ‘Social demokrate’. Pasi që, sipas Sinanit këto dy parti i kanë parimet e njëjta.

Keni deklaruar në një intervistë se gazetaria ka qenë ëndrra juaj e madhe. Pse hoqët dorë nga ajo? 

Në fakt nuk kam hequr dorë nga gazetaria, mirëpo e kam realizuar ëndrrën, sepse të punosh 19 vite në gazetari nuk do të thotë se ke hequr dorë nga gazetari, por thjesht, do të thotë që e ke perfunduar një karrierë të gazetarit. Karriera ime nuk ka qenë vetëm e gazetarit, por ka lëvizur nga gazetari, moderatori tek redaktori, autor emisionesh etj. Pra e kam konsumuar, e kam harxhuar dhe e kam realizuar ëndrrën. Më shumë nuk më ofronte tregu mediatik, sidomos i televizioneve  këtu në Kosovë dhe nuk doja të vendnumëroja ose  të përsërisja veten, andaj hoqa dorë, në njëfarë mënyre i dhashë fund gazetarisë duke u pensionuar si futbollistët para moshës 40 vjeçare.

Ju thatë se “e kam harxhuar”, do të thotë më nuk do të kishit çfarë të jepni për gazetarinë?

Unë do të kisha pasur dhe kam akoma çfarë të jap për gazetarinë, jo në kuptimin e gazetarisë së terrenit, mirëpo në përgjithësi televizionit pa dyshim, mirëpo gjendja e televizioneve tek ne, në njëfare mënyre nuk më ofronte aq sa unë mendoja për të ecur edhe në disa hapa më tutje. E kam provuar disa herë në television, sepse unë që nga fillimi kam krijuar programe, edicionin e lajmeve Blic, Programin e Mëngjesit, një emision tjetër të paradites “RTK BLU”, gjithashtu emisionin e pasdites IMAZH dhe programe të tjera. Ideja që kisha të krijoj një program tjetër nuk ishte e mundur të realizohej aty dhe më tutje nuk pata motiv që të vazhdoj me këtë profesion.

Kjo do të thotë që RTK-ja nuk i’u ofroi kushte për të vazhduar gazetarinë?

Atë që mendoja unë jo. Jo vetëm mua. Por as RTK-ja as mediat e tjera nuk kanë kushte. Kur them kushte, ju lutem krahasoi me mediat në Shqipëri se çfarë kushtesh kanë Klani, Top Channel dhe televizionet tjera. Tek ne televizionet të ofrojnë kushte dhe të mbajnë aktiv në profesion më së shumti një sezon, sezonen e dytë fillon ta përsërisësh veten dhe kjo është demotivuese. Televizioni, është shumë më shumë se ato që po i shohim ne nëpër programet tona televizive, ose shumë më shumë se një i ftuar dhe një intervistues. Tek ne shumica e televizioneve janë bërë radio me fotografi, përjashto këtu Klan Kosovën i cili ka ecur më perpara.

E kishit politikën pasionin tuaj të fshehur pasi asnjëherë s’keni deklaruar se e pëlqeni atë?

Gazetaria është politikë. Vetë jeta është politike në njëfarë mënyre. Kur je pjesë e gazetarisë shumë natyrshëm, jo vetëm në Kosovë por në të gjithë botën bëhesh edhe pjesë e politikës në qoftë se vendos ta pushosh apo të pensionohesh nga profesioni i gazetarisë. Jo rastësisht thonë që gazetaria është shtylla e katërt apo pushteti i katërt. Nuk i kishin dhënë një vend të tillë  në qoftë se nuk kishte qenë kaq e afërt me shtyllat e tjera të pushtetit ku është politika.

Nuk ka gazetar që nuk e ka pasion politikën, sepse është e pamundur të jetosh si gazetar dhe mos të interesojë politika, qoftë politikbërja, qoftë edhe kërkesat e qytetarëve ndaj politikës. Prandaj në këtë mes është shumë e natyrshme kjo çështja e kalimit nga gazetaria në politikë. Për fat të keq, është krijuar një opinion negativ, një perceptim negativ i opinionit për gazetarët që kalojnë në politikë. Këtë e kanë shpërfaqur në disa raste për ish kolegë të cilët i kanë fyer, i kanë ofenduar, i kanë kundërshtuar dhe ia kanë thenë të gjitha të zezat e kësaj toke, mirëpo e kanë gabim të gjithë ata që i gjykojnë njerëzit për hapa të tillë. Konsideroj, që është gjëja më normale jo vetëm e gazetarit por e të gjithëve që thonë edhe unë dua të angazhohem politikisht dhe do veproj politikisht në ketë vend, për të kontribuar për shtetin në radhë të pare, për të mirën e vetes, të familjes dhe të rrethit. Për këtë arsye unë nuk kam dashur që të angazhohem në politikë në kohë fushate, por pasi të gjitha kalkulimet kanë përfunduar, kur nuk ka zgjedhje, kur nuk ka më poste të lira, kur nuk ka më poste që të ofrojnë për t’u bërë pjesë e politikës, unë atëherë kam hyrë në politikë. Kam hyrë me idenë që së pari të njoh partinë, të njoh politikën, të njoh si funksionon një institucion, të bëhem pjesë e strukturës së partisë në këtë rast NISMA Socialdemokrate dhe pas dy ose tre vjetësh kur do që të bëhen zgjedhjet, atëherë unë të filloj dhe ta sprovoj veten në politikë. Deri atëherë jam vetëm një anëtar i NISMA-s.

 Ju në mendje kalimin në politikë e paskeni pasur qe një kohë?

Nuk thashë që e kam pasur në mendje! Sepse, nëse më kishe pyetur një vit më herët, ka mundur të jetë një diçka shumë e largët, por tash është bërë realitet. Nuk kam thënë asnjëherë kategorikisht që nuk do të bëhem pjesë e politikës.

Pra, në Nismë ju ende nuk e keni një pozicion të caktuar?

Jo, ende jam vetëm një anëtar i aderuar i NISMA-s dhe tani NISMA është në fazën e strukturimit. I mbajtur disa kuvende të e punës, ka krijuar shumë nëndegë të reja, ka mbajtur disa kuvende zgjedhore dhe është duke i mbajtur në disa degë, e në fund do të mbahet një kuvend pune i partisë, një kuvend pune i përgjithshëm dhe aty besoj se do të bëhem pjesë e strukturave të partisë.

Ju ofruan para më shumë në politikë?

Nuk shkon kështu oferta! Thjeshtë nuk bëhet pazar për para. Perndryshe, shumë sinqerisht nëse do të doja para, do të bëja një biznes, ose nëse do të doja pak më shumë para se në politikë, do të shkoja në një ndërrmarrje e cila për postin e zyrtarit për media paguajnë më shumë. Realisht, unë nuk kam shkuar në ‘NISMA’ për para sepse, paga ime kryesore është në kolegjin AAB ku prej vitesh jam profesor. Kjo është angazhim dytësor, e nëse e krahasojmë pagesën në RTK dhe pagesën që kam tash si zyrtar në Ministri të Arsimit, une kam më pak të ardhura. Pra në politikë nuk jam për para e as nuk do të hyja kurrë për më shumë para. Por këtu jam për të dhënë kontributin tim në të mire të vendit, për aq sa di dhe aq sa do të më jepet mundësia.

Pse e zgjodhët ‘Nismën’, një parti kaq të vogël?  

Në fakt, unë mendoj se njerëzit të cilët angazhohen në parti, në një moshë si e imja rreth të 40-vet, dhe nuk kanë kohë për të kaluar 20 vjet nëpër forumet e rinisë, pastaj nëpër forume të tjera të partisë deri sa të mbërrijnë për t’u bërë pjesë e strukturave, më mirë është që të shkojnë nëpër parti më të vogla, që kanë nevojë për kuadro, sepse e gjen veten më lehtë dhe të jepet më shpejtë hapësira, sepse edhe ato kanë interes të zgjerohen, nuk kanë kohë të presin një njeri 20 vjet për ta krijuar deri sa ta bëjnë pjesë të strukturës.

Pra, përputhen interesat dhe zgjerimi bëhet me figura të dëshmuara në profesone të tjera, me njerëz që kanë një profil publik, njerëz që kanë një jetë që i njeh opinioni dhe që janë të gatshëm, dhe në këtë mënyrë është në botëkuptimin tim angazhimi im në NISMA. Tek partitë e mëdha është më e vështirë, ngase kanë shumë strukturë të zgjeruar, kanë shumë njerëz dhe është më e vështirë që të gjendet hapësira. Kjo pra është një nga arsyet që unë zgjodha nismën. Por, arsyeja tjetër është tek idetë socialdemokrate që i ka bërë të vetat NISMA, sepse tashmë edhe emrin e ka shëndrruar në NISMA Socialdemokrate, dhe unë mendoj që në Kosovë, në një vend si Kosova, me të gjitha karakteristikat që i ka, një frymë socialdemokrate apo një parti socialedemokrate do t’i bënte mirë vendit. Kështu që, shumë gjëra janë përputhur dhe jam ku jam.

Pra, ju nuk keni hyrë në ‘NISMA’ për shkak se ajo dallon shumë nga partitë tjera, por vetëm për shkak të hapësirës që juve i’u është dhënë aty?

Nuk e thash 100 përqind se është vetëm për shkak të hapësirës dhe as që e krahasova me partitë e tjera, sepse partitë kanë strukture, kanë mundësi të zgjerohen, por kanë edhe programe dhe e para për mua është programi social- demokrat. Mirëpo, në qoftë se në një parti të pëlqen programi dhe nuk të jepet hapësira nuk ke pse shkon. Kështu që, këto kombinohen. Por, e para është bindja ime se këtij vendi i duhet një qeverisje social-demokrate. Nuk, po hyj ta spjegoj konceptin këtu sepse nuk është vendi këtu, por kjo bindje është e para.

Kjo, do të thoni e dallon ‘Nismën’ nga partitë e tjera?

Realisht po. Kemi edhe parti të tjera që profilizohen kah e majta, social- demokracia. Tash thuajse me të njëjtat parime kemi edhe një parti të re që është bërë PSD. Por, nuk prish punë që kemi dy parti me parime socialdemokrate, sepse unë mendoj që ka mundësi të bashkëpunohet, edhe pse kemi dallimet tona.

Ku janë intrigat më të mëdha në gazetari apo politikë?

Në njëfarë mënyre, unë intrigave i’u kam shmangur edhe në gazetari dhe besoj që do t’u shmangem edhe në politikë. Në gazetari kam provuar intriga, por asnjëherë nuk jam ndeshur me intrigantët, i kam kuptuar dhe kam vazhduar rrugëtimin tim. Kam besuar tek e vecanta ime si gazetar, si moderator, si redaktor, kam krijuar vet hapësirën time. Njëjtë besoj tek e veçanta ime edhe në politikë dhe i tillë do të eci krah për krah me kolegë të tjerë në NISMA-N Socialdemokrate. Natyrisht se edhe në politikë ka intriga, por unë nuk do të bëhem pjesë e intrigave dhe as nuk do të përballem duke i injoruar.

A ishte skenar i Nismës që njëherë të jepej lajmi në ‘Express’ se ju po ndaheni nga gazetaria?

Nuk e di, akoma nuk e kam kuptuar. Nuk kam shfaqur interesim ta kuptoj. Ajo që e di unë është se atë natë unë kisha planifikuar që atë natë ta jap edicionin e fundit informativ të lajmeve. Pra, të ishte një edicion i fundit i lajmeve. Mirëpo, u dekonstruktua apo u dekonspirua lajmi dhe doli në ‘Express’. Kështu që, kjo u pamundësua. Nga e kanë marrë vesh, si e kanë marrë vesh nuk e di, veq e di që mbeta pa e dhënë edicionin e fundit.

Dmth, nuk është skenar i ‘Nismës’ kjo?

Skenar i imi nuk është, sepse skenar i imi ishte që të dal edhe njëherë në edicionin e lajmeve në mënyrë që të nesërmen të bëja aderimin. Mirëpo, m’u prish befasia.

Sa është problematike, ju si politikan tani, ti mësoni studentët si të jenë gazetarë të mirë dmth mos me qenë të njëanshëm? 

Aspak nuk është problematike. Unë, gjithë jetën jam munduar që t’i mbaj të ndara secilën veprimtari që e kam zhvilluar. Për mua është krejt tjetër jeta familjare, krejt tjetër shoqëria, krejt tjetër angazhimi në media, krejt tjetër mësimdhënia e krejt tjetër tani angazhimi në politikë. Të gjithave unë u jap nga vetja, nga personaliteti im, mirëpo nuk i lejoj ato që të ndikojnë dhe të më deformojnë si individ apo si njeri. Në këtë kontekst, në klasë studentët e mi e dinë që jam profesor dhe aty nuk shkoj unë për të shitur idetë e mia politike. Në universitet nuk vjen profesori për të thënë atë çfarë ai e mendon. Jo. Profesori është për të përjellë atë që e thotë shkenca, atë që e ka studiuar, atë që e thotë literatura e njohur dhe çfarë e thotë praktika më e mirë në rastin konkret e gazetarisë dhe jo çfarë janë idetë dhe mendimet e tij personale për problemet aktuale politike. Prandaj, unë nuk jam politikan në klasë dhe nuk flas për politikë, e lëre më për parti apo gjëra të tjera. Thjeshtë, i mbaj të ndara dhe jam shumë strikt në këtë drejtim, jam shumë kategorik në këtë drejtim. I përmbahem syllabusit, i përmbahem në mënyrë kategorike asaj që është pjesë e lëndës dhe këtë e plotësoj me përvojën time gati 20 vjeçare të karrierës sime në gazetari. Këtë e bëj për t’ua dhënë studentëve si ilustrim dhe si shembull se cila funksionon e cila nuk funksionon tek ne në gazetari.

Autore: Agnesa Zeqiraj, Edona Salihu

/Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit