Pak pas mesnatës së 24 shtatorit, Policia e Kosovës nisi forcën e parë të reagimit drejt urës në fshatin Banjskë të Zveçanit. Kjo rezultoi me vrasje e plagosje të policëve.
Të armatosur deri në dhëmbë, kriminelë serbë kishin hyrë brenda territorit të Kosovës.
Rreshteri 50-vjeçar nga Vushtrria, Afrim Bunjaku mbeti i vrarë në sulm. Babai i tre fëmijëve, heroi më i ri i shtetit të Kosovës, u qëllua nga dy drejtime të ndryshme në afërsi të kësaj ure, e si pasojë e të shtënave u plagosën edhe dy policë të tjerë.
Në orët e para të mëngjesit, kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se në Banjskë të Zveçanit po sulmohet shtetësia e vendit. Njoftoi edhe për vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku dhe plagosjen e dy policëve të tjerë rreth orës 03:00 të mëngjesit.
Krismat u dëgjuan edhe pasi zbardhi dita, sulmi nuk po përfundonte me kaq.
Terroristë serbë me veshje ushtarake ishin vendosur në Manastirin e Banjskës e përreth tij. Këtij grupi po i printe kryeterroristi Millan Radojiqiq, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe i kërkuar edhe nga institucionet vendore si i përfshirë në vrasje.
Konfrontimi me Policinë e Kosovës vijoi përgjatë gjithë ditës së 24 shtatorit, ku është plagosur zyrtari policor Alban Rashiti e janë lënduar Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu, Sedat Dushi. Ndërkohë që forcat speciale qëlluan për vdekje tre serbë, por tek në orët e vona të së dielës u mor nën kontroll manastiri, derisa shumica dërrmuese e grupit terroristë u arratisën nëpër rrugët malore për në Republikën e Serbisë.
Familja Bunjaku që nga mëngjesi hapi dyert për ngushëllime.
Nga shtëpia e heroit Afrim Bunjaku, kryeministri Albin Kurti deklaroi se në betejën për rend dhe ligj, do të ngadhënjejë Republika e pavarur e Kosovës.
“Pikëllimi është i thellë, dhembja është e madhe por edhe krenaria është e jashtëzakonshme për guximin dhe sakrificën e Afrimit. Në betejën e Kosovës për rend, ligj dhe kushtetueshmëri, për siguri dhe për paqe, për të drejta dhe liri për të gjithë pa dallim kundër kriminelëve dhe terroristë të mbështetur politikisht, financiarisht, logjistikisht nga Serbia, do të ngadhënjejë Republika e pavarur e Kosovës”, deklaroi Kurti.
Për këtë sulm reaguan edhe ndërkombëtarët, megjithatë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq tha se sulmin në Banjskë e kreu një grup i “serbëve të dëshpëruar lokal”.
Me ceremoni e nderime të larta shtetërore u varros Afrim Bunjaku në varrezat e fshatit Samadrexhë të Vushtrrisë, ku morën pjesë familjarë, qytetarë, liderë të shtetit, anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë e ambasadorë të huaj.
25 shtatori u shpall ditë zie për Kosovën.
Policia një ditë pas përfundimit të operacionit ekspozoi çfarë gjeti në Banjskë. Automjete të blinduara, makina si të KFOR-it gjerman, granat-hedhës, radio-marrës, harta e artileri të rëndë, por edhe simbole nacionaliste të përdorura nga serbët.
“Në objektet brenda dhe vetura janë gjetur harta dhe plane të cilat tregojnë për organizimin e gjatë të mirë menduar dhe bashkërenduar. Këto harta dhe dokumente janë dëshmi se këtu nuk kemi të bëjmë thjeshtë me grupe lokale por organizim terrorist që është udhëhequr dhe organizuar nga Beogradi. Edhe nga ekspertë vendor dhe të huaj se për këtë sasi armatimi, këtë organizim dhe këto përgatitje duhen së paku disa muaj. Pra nuk ka asgjë të bëjë me një organizim të shpejtë”, ka deklaruar Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme.
Në fillim të këtij muaji, gati pas një viti, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave për sulmin në Banjskë. Në mesin e të akuzuarve kryesor është Millan Radojiçiq, si udhëheqës i grupit. Sipas aktakuzës së siguruar nga KosovaPress, ata kanë kryer veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” dhe veprën penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”. Disa nga ata akuzohen edhe financim të grupit, shpëlarje të parasë.
Në një vjetorin e sulmit në Banjskë, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit ka njoftuar se Manastiri në Banjskë do të jetë i mbyllur për vizitorë për tri ditë.

Raportohet se dje në mbledhje qeveria e Kosovës vendosi që rrugën Ballaban-Banjskë, ta emërtojë “Afrim Bunjaku”, emrin e heroit të Republikës së Kosovës.
“Në njëvjetorin e sulmit terrorist dhe paramilitar kundër vendit tonë në Banjskë të Zveçanit, nderojmë e kurrë nuk harrojmë sakrificën e heroit, rreshterit Afrim Bunjaku, që humbi jetën duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kurti.
Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe ambasada gjermane në Prishtinë, e cila thotë se duhet të vendoset drejtësi për vrasjen e Bunjakut.
“Sakrifica e tij nuk do të harrohet, por fakti mbetet: Milan Radoçiç, autori i dyshuar i këtij krimi, pavarësisht se e ka pranuar përgjegjësinë, është ende i lirë në Serbi. Dështimi për të kërkuar llogari nga përgjegjësit, pavarësisht pranimeve të qarta të fajit, e minon paqen në rajon dhe çon një mesazh të rrezikshëm. Drejtësia duhet të vendoset. Nuk ka më shtyrje dhe justifikime”, shkroi ambasada gjermane në rrjetet sociale


