“Numri i bizneseve amerikane, ende i ulët në Shqipëri”, Balla: SHBA, aleati dhe partneri ynë më i rëndësishëm strategjik

Mos i humb

Kuvendi i Shqipërisë, me nismën e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe nën kujdesin e Kryetarit të Grupit, Taulant Balla, organizoi sot një veprimtari kushtuar 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-ShBA.

Gjatë fjalës së tij Balla tha se bashkëpunimi mes SHBA-ve dhe Shqipërisë është në një nivel të shkëlqyer. Balla theksoi mes të tjerash se SHBA është aleati dhe partneri më i rëndësishëm i Shqipërisë.

FJALA E PLOTE E BALLES
“… Mendimi i përbashkët i yni ka qenë se nuk është as e drejtë e as zgjidhje që të aneksohen si plaçkë lufte territore të banuara nga një komb tjetër.
… Qeveria amerikane nuk është e gatshme të njohë asnjë zgjidhje të padrejtë, të bazuar në një traktat të fshehtë, kushtet e të cilit janë të papajtueshme me situatën e re në botë…
Shtrohet çështja nëse Qeveria amerikane ka mundësi të bashkëpunojë apo jo me fuqitë mike të Europës për këtë vepër të madhe: ruajtja e paqes në botë nëpërmjet zhdukjes së shkaqeve kryesore të luftës…
Por më parë duhet sqaruar se çfarë duhet kuptuar me drejtësi dhe barazi në marrëdhëniet ndërkombëtare… Nëse do të lejohet të shtihen në dorë me forcë territore të caktuara… duke e vendosur çështjen në favor të vetë agresorit; nëse një ambicie e tillë arbitrare do të gjejë realizimin e vet në dëm të të vegjëlve dhe të dobtëve;”.
Zonja dhe zotërinj,
Përzgjodha këto fjalë të Presidentit Amerikan Woodrow Wilson, të shprehura një shekull më parë, e që sot kanë po atë vlerë, pa asnjë ndryshim. Këtë qëndrim Presidenti i SHBA-ve e mbante një shekull më parë për të mbrojtur ekzistencën e shtetit shqiptar. Sot ky vizion vlen njëlloj për qëndrimin e mbarë botës demokratike në mbrojtje të integritetit territorial të Ukrahinës ndaj agresionit rus.

Falë këtij Vizioni të Presidentit Wilson për botën. Por edhe në kushtet e rrethanat historike që pasuan Luftën e Parë Botërore, si dhe diskutimeve të gjata në Konferencën e Paqes,
Shtetet e Bashkuara të Amerikës njohën dhe mbështetën pavarësinë e Shqipërisë dhe shpallën njohjen de jure të saj më 28 korrik 1922. Marrëdhëniet diplomatike do të vendoseshin më 4 dhjetor 1922, kur i Dërguari i Jashtëzakonshëm dhe Ministri Fuqiplotë i SHBA-ve, Ulysses Grant – Smith, diplomat karriere, do t’i paraqiste letrat kredenciale në Tiranë, kryeministrit shqiptar Xhafer Ypi.

Ndërsa sot përkujtojmë 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, nuk mund ta fsheh aspak kënaqësinë dhe nderin e veçantë të kemi mes nesh Sekretarin e 70-të të Shtetit Amerikan, zotin Mike Pompeo. Jam shumë i sigurt se edhe vetë Sekretari Pompeo do të kujtojë gjatë fjalës së tij, një moment tjetër historik në marrëdhëniet mes dy vendeve tona.
22 qershor 1991,
300 mijë shqiptarë do të derdheshin në sheshin Skenderbej duke thërritur ‘SHBA! SHBA’! në mikpritje të Sekretarit të Shtetit James A. Baker III , i cili iu drejtua popullit shqiptar me këto fjalë: “unë jam sot këtu për t’ju thënë: Liria funksionon.”
Nuk besoj se ndonjë Sekretar tjetër shteti i SHBA mund të ketë patur ndonjëherë një pritje të përmasave të tilla. Për ne shqiptarët që kishim kaluar një periudhë të gjatë nën regjimin komunist, të privuar nga e drejta e mendimit, fjalës dhe pronës, mesazhi i Sekretarit Baker, “liria jep rezultat” ishte përmbledhja në tre fjalë e zhvillimeve demokratike që do të ndodhnin në Shqipëri në vitet në vazhdim.
Falë mbështetjes së SHBA-ve, Shqipëria është sot një vend anëtar i NATO-s, ndërsa Kosova është një shtet i pavarur, dhe i angazhuar në agjendën e integrimeve euro-atlantike.
Bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është sot në një nivel të shkëlqyer në dobi të zhvillimeve demokratike, të forcimit të shtetit ligjor dhe të parimeve të ekonomisë së tregut, në mbështetje të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, të ruajtjes së stabilitetit, paqes e prosperitetit në rajonin tonë e më gjerë si dhe të luftës kundër terrorizmit. Mbështetja që SHBA i ka dhënë gjatë gjithë këtyre viteve Shqipërisë nëpërmjet agjencive të saj për ndërtimin e institucioneve dhe krijimin e parametrave të tregut të lirë, tashmë po shoqërohet me investime të drejtpërdrejta amerikane veçanërisht në sektorët strategjikë e ata prioritarë të ekonomisë shqiptare.

Realizimi i këtij synimi duhet të jetë një prioritet thelbësor, i dorës së parë, në marrëdhëniet me SHBA-të. Numri i bizneseve amerikane, apo me kapital të përbashkët shqiptaro-amerikan, është ende shumë i vogël krahasuar me mundësitë dhe ofertën tërheqëse të Shqipërisë për sipërmarjen amerikane, ku presim operatorë amerikanë edhe në sektorin e turizmit. Dhe për ta mbyllur këtë fjalë hapëse po përdor përsëri fjalët e Presidentit Wilson “… për krijimin e një paqeje të qëndrueshme në Europë e në botë, ne kemi nevojë për partnerë të aftë e dinjitozë, të gatshëm për të marrë angazhime të përbashkëta”.

Unë mendoj se sot pas 1 shekulli marrëdhëniesh diplomatike. SHBA janë aleati dhe partneri ynë strategjik. Për ne marrëdhëniet me SHBA janë të rëndësisë parësore në nivelin e partneritetit strategjik dhe përbëjnë themelin e politikës sonë të jashtme. Ndërsa sot bëjmë bilancin e një shekulli, mund ta themi se pavarësisht nga cila prej dy partive vjen Presidenti i SHBA, ne jemi gjithmonë mirënjohës për mbështetjen që SHBA kanë dhënë ndaj Shqipërisë dhe çështjeve shqiptare. SHBA mbështesin forcimin e demokracisë dhe shtetit ligjor në Shqipëri dhe ne i jemi mirënjohjes. Një falenderim të merituar për të gjithë ambasadorët amerikanë në Shqipëri për punën e shkëlqyer si përfaqësues direktë të Presidentit të SHBA.
Faleminderit!

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit