Forcat e Armatosura Turke (TSK) kanë neutralizuar në total 1.715 terroristë të YPG/PKK-DEASH që nga fillimi i operacionit “Dega e Ullirit” në rajonin kufitar sirian Afrin.
Shtatmadhoria e Ushtrisë Turke ka njoftuar se forcat turke në 24 orët e fundit kanë vazhduar me shkatërrimin e bastioneve terroriste. Në deklaratë thuhet se operacioni po rrjedhë sipas planit.
Operacioni në Afrin filloi më 20 janar, në përputhje me të drejtat e Turqisë në bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutat e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato në lidhje me luftën kundër terrorizmit 1624 (2005), 2170 (2014) dhe 2178 (2014).
Turqia gjithashtu i referohet nenit 51 të marrëveshjes së OKB-së, ose “të drejtës për vetëmbrojtje”. Operacioni zhvillohet duke respektuar integritetin territorial të Sirisë.
– Pastrohen disa fshatra nga terroristët
TSK dhe Ushtria e Lirë Siriane (ULS) kanë pastruar nga terroristët fshatin Zejtune në verilindje të Afrinit.
Siç informojnë gazetarët e AA-së në rajon, TSK dhe ULS sot në orët e mëngjesit çliruan nga terroristët e YPG/PKK-DEASH-it fshatin Zejtune, i cili ndodhet pranë qytezës Sheran në verilindje të Afrinit.
Në ndërkohë, në veri të Afrinit janë pastruar nga terroristët fshatrat Sorani dhe Hejani.
Që nga fillimi i operacionit, TSK dhe ULS deri më tani kanë çliruar nga organizatat terroriste YPG/PKK-DEASH 81 pika, përfshirë një qendër qyteze, 53 fshatra, katër vendbanime rurale dhe 20 male ose kodra strategjike dhe një bazë të YPG/PKK në pesë qyteza të Afrinit.
Më 20 janar, TSK nisi operacionin “Dega e Ullirit” në rajonin e Afrinit në veri të Sirisë për të larguar terroristët e YPG/PKK-DEASH-it.
Operacioni synon të krijojë siguri dhe stabilitet përgjatë kufijve të Turqisë dhe rajonit si dhe të mbrojë popullin sirian nga shtypja dhe mizoria e terroristëve.


