![]()
Ambasada e Venezuelës në Kosta Rikë është marrë në kontroll nga ambasadori i emrëruar nga opozita e vendit.
Maria Faria, e cila pohon se është emëruar nga presidenti i vetëshpallur i Venezuelës, Juan Guaido, dhe se të mërkurën është futur në ndërtesën diplomatike në San Jose.
Në një njoftim të lëshuar nga selia diplomatike e Venezuelës në Kosta Rikë, thuhet se stafi i emëruar nga presidenti Nicolas Maduro është pezulluar ndërsa diplomatët e rinj kanë marrë njohje nga qeveria e Kosta Rikës.
Lidhur me zhvillimet e fundit ka reaguar ministri i Jashtëm i Venezuelës, Jorge Arreaza.
Ai shkroi në rrjetet sociale se “një grup i huaj ka hyrë në ambasadën e vendit në Kosta Rikë, njëjtë siç bëjnë hajdutët”.
Kujtojmë se Kosta Rika është në mesin e shteteve që e kanë njohur legjitimitetin e Guaidos, për çka u bëri thirrje diplomatëve të saj në Karakas të braktisin atë vend.
Venezuela është përfshirë nga një krizë politike që nisi me protestat e 10 janarit, kur presidenti Nicolas Maduro u betua për një mandat të dytë pas një votimi të bojkotuar nga opozita.
Tensionet u ngritën kur Juan Guaido, i cili kryeson Asamblenë Kombëtare të Venezuelës, u vetëshpall si president më 23 janar, një veprim i cili u mbështet nga SHBA-të dhe shumë vende të Europës dhe Amerikës Latine.
Rusia, Turqia, Kina, Irani, Bolivia dhe Meksika kanë shprehur solidaritet me presidentin Maduro.


