Pakistani regjistron mbi 6 mijë raste të reja me COVID-19

Mos i humb

Sipas të dhënave nga autoritetet shëndetësore, me 6.397 raste të reja, numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me COVID-19 në Pakistan ka arritur në 125.933, shifër e cila tejkalon Kinën dhe Arabinë Saudite, duke e renditur në vendin e 15-të në botë për sa i përket rasteve të zbuluara.

Gjatë ditës së fundit, në Pakistan 107 pacientë humbën jetën nga koronavirusi, duke e çuar në 2.463 numrin e përgjithshëm të viktimave nga ky virus, ndërsa deri më tani janë shëruar 40.247 pacientë paraprakisht të testuar pozitiv me COVID-19.

Deri më tani në këtë vend me 200 milionë banorë janë kryer rreth 809.169 teste të dyshuara për COVID-19, ndërsa vetëm në 24 orët e fundit janë kryer 28.344.

Punjabi verilindor, ku banojnë më shumë se gjysma e popullsisë së vendit, është zona më e prekur në Pakistan, me mbi 47.382 raste të zbuluara, ndjekur nga provinca jugore Sindh, me 46.828 raste të zbuluara.

Sipas të dhënave nga Ministria pakistaneze e Shëndetësisë, provinca administrative veriperëndimore Khyber Pakhtunkhwa ka regjistruar 15.787 raste të zbuluara me COVID-19 ndërsa provinca jugperëndimore Balochistan ka regjistruar 7.673 raste.

Rajoni verior Gilgit Baltistan ka regjistruar 1.030 raste të zbuluara, kryeqyteti Islamabad ka regjistruar 6.699 raste ndërsa Azad Xhamu dhe Kashmir ka regjistruar 534 raste deri më tani.

Raporti i autoriteteve shëndetësore tregoi se numri i vdekjeve në rastet e konfirmuara po ashtu është rritur në 2 për qind, pasi më herët ishte 1,7 për qind, ndërsa numri i pacientëve të shëruar u rrit në 32 për qind nga 20 për qind.

Të dhënat tregojnë se shumica e vdekjeve kanë ndodhur tek pacientët midis moshës 60 dhe 69 vjeç, të cilët regjistruan 29,83 për qind, prej të cilëve 22,93 për qind ishin meshkuj dhe 6,9 për qind femra.

Kulmi i shpërthimit të COVID-19

Ekspertët shëndetësorë shpërthimin e rasteve COVID-19 e shohin gjithnjë në rritje si pasojë e heqjes së bllokimit të prolonguar në fund të muajit të kaluar. Ata paralajmërojnë se sistemi tashmë i dobët i kujdesit shëndetësor pakistanez mund të dështojë së shpejti nëse raporti vazhdon të rritet me ritmin aktual.

Më 9 maj, rastet e konfirmuara me COVID-19 ishin 29.465, kur kryeministri Imran Khan njoftoi lehtësimin e bllokimit në faza, ndërsa tani vetën për një muaj rastet e konfirmuara u rritën në 125.933.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka shpallur Pakistanin vend me rrezik të nivelit të dytë pas Afganistanit për sa i përket shpërthimit të virusit.

Në një letër drejtuar qeverisë të martën e kaluar, Agjencia e Shëndetësisë së Kombeve të Bashkuara (OKB) sugjeroi një bllokim të rreptë dy-javor për të parandaluar shpërthimin e shpejtë.

Duke iu përgjigjur sugjerimit, këshilltari i kryeministrit për shëndetësinë, Zafar Mirza tha se vendi i tij mori vendimet në interes të popullit.

Gjithashtu edhe kryeministri ka përjashtuar një bllokim të rreptë, duke theksuar se një “bllokim i zgjuar” është zgjidhja e vetme për ekonominë në zhvillim.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit