Disa deputetë të opozitës dorëzuan në Kuvend një iniciativë pas vrasjes së 14-vjeçarit në shkollën “Fan Noli” në Tiranë. Krahas Dashamir Shehit, Flutura Açkës dhe Enkelejd Alibeajt, deputetja Merita Bakiu tha se kjo ngjarje ngre pyetje të thella dhe kërkon reflektim.
Sipas deputetëve është e nevojshme një ndërhyrje serioze për çështjet që prekin fëmijët.
Ngjarja e fundit tronditi jo vetëm opinionin publik, por kapi në befasi edhe institucionet shtetërore. Prandaj sipas deputetëve në raste të tilla mungesa e reagimit do të ishte e pafalshme.
Në këtë mënyrë ata kërkuan ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar që do të mandatohet për hartimin e “Paktit për Fëmijët”, që do të mbajë një strategji kombëtare për fëmijët në vendin tonë.
Sipas deputetëve të opozitës, Kuvendi sot është në kushtet që duhet të luajë rolin e vet kushtetues dhe kjo është arsyeja pse ata zgjodhën këtë instrument si më të përshtatshmin për të arritur këtë objektiv.
“Vetëm një komision i posaçëm parlamentar mund të ofrojë një kornizë harmonike dhe gjithëpërfshirëse e cila shmang fragmentimin dhe politizimin që shpesh ndodh me nismat individuale apo të pjesshme.
Ky komision do të punojë si një forum i përbashkët dhe gjithëpërfshirës ku përfaqësues nga të gjitha forcat politike, ekspertët e fushës dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile do të punojnë së bashku për të përmbushur këtë objektiv të rëndësishëm”, tha Bakiu.