Parlamenti Europian të enjten voton për liberalizimin e vizave për Kosovën

Mos i humb

Parlamenti Europian më 13 shtator do të votojë rekomandimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, bënë të ditur përmes një njoftimi Komiteti për liritë qytetare, drejtësi dhe çështje të brendshme (LIBE) i Parlamentit Europian.

Pas këtij votimi, do të konfirmohet mandati për fillimin e bisedimeve me vendet anëtare të BE-së, në mënyrë që Kosovës t’i liberalizohen vizat.

Bisedimet në emër të Parlamentit Europian do t’i udhëheqë, Tanja Fajon, raportuese për vizat e Parlamentit.

Votimi në Parlamentin Europian ishte paraparë për muajt e ardhshëm por sipas njoftimit të komitetit LIBE “disa grupe parlamentare në Parlament kanë kërkuar që votimi të ndodhë në sesionin e shtatorit”.

Për liberalizimin e vizave është e domosdoshme që pajtimin ta japin edhe dy institucione kyçe të BE-së: Parlamenti Europian dhe Këshilli i Ministrave të brendshëm të vendeve anëtare.

Të mërkurën kur raportuesja për vizat e merr mandatin për fillimin e bisedimeve me Këshillin e Bashkimit Europian, procesi kalon në nivelin e grupeve punuese.

Radio Europa e Lirë mëson se takimi i parë i grupit punues do të mbahet më 17 shtator.

Pasi që të përafrohen bisedimet në kuadër të grupit punues, pastaj çështja kalon në nivel të ministrave të Brendshëm të Bashkimit Europian, të cilët vendosin për këtë përmes votimit me një shumicë të kualifikuar.

Komisioni Europian më 18 korrik të këtij viti, vendosi se Kosova i ka përmbushur gjitha kriteret dhe i rekomandoi Bashkimi Europian të liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën e Shengenit./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit