Pendarovski mesazh me rastin e 75-vjetorit të themelimit të OKB-së

Mos i humb

Formimi i Kombeve të Bashkuara është një nga projektet dhe arritjet më të rëndësishme të njerëzimit, tha presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në video mesazhin me rastin e 75-vjetorit të themelimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

“Në vitin 1945 popujt u bashkuan rreth vizionit që t’i mbrojnë pasardhësit nga tmerri i luftës. Ata i vendosën themelet e rendit të ri ndërkombëtar që në bazën e vet e vë njeriun, dhe jo vetëm shtetet dhe aleancat e tyre”, theksoi Pendarovski.

Ai theksoi se në 75 vitet e kaluara OKB-ja arriti shumë, si gur themeli i të drejtës ndërkombëtare dhe sistemit multilateral, dhe sipas tij organizata i obligon anëtarët e vet t’i tejkalojnë kontestet në mënyrë paqësore dhe të bashkëpunojnë për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë.

“Kombet e Bashkuara kanë parandaluar një numër të madh konfliktesh dhe i kanë zbutur pasojat e shumë krizave humanitare. Ato u kanë ndihmuar shumë popujve që nëpërmjet vetëvendosjes të ecin në rrugën drejt pavarësisë. Në dekadat e kaluara miliona njerëz janë nxjerrë nga varfëria ekstreme dhe janë mbrojtur nga dhuna”, shtoi Pendarovski.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut më tej shtoi se nëpërmjet deklaratës universale, pakteve dhe konventave ndërkombëtare, Kombet e Bashkuara e kanë nxitur lëvizjen globale për të drejta dhe liri, për drejtësi sociale dhe barazi. E kanë përforcuar rezistencën ndaj katastrofave dhe e kanë mobilizuar botën në luftën kundër ndryshimeve klimatike.

“Formimi i Kombeve të Bashkuara është një nga projektet dhe arritjet më të rëndësishme të njerëzimit. Por, organizata jonë mund të jetë efikase aq sa e lejojnë që të jetë shtetet anëtare”, tha Pendarovski.

Në adresimin e tij Pendarovski u përqendrua edhe në krizën e koronavirusit të ri (COVID-19) e cila ka përfshirë gjithë botën, me ç’rast tha se për shkak të pengesave të shumta në punën e saj, në botë ekzistojnë ende tensione dhe konflikte, miliona refugjatë dhe migrantë, eksploatim i pakontrolluar i natyrës dhe shkelje e dinjitetit të njeriut. Problemeve të vjetra sipas tij iu bashkëngjiten edhe probleme të reja akute siç janë terrorizmi global, krimi transnacional i organizuar dhe ndarja digjitale.

“Këtë vit, gjendja është komplikuar edhe më shumë për shkak të pandemisë me COVID-19. Përveç mundimit të madh të cilin po shkakton, pandemia i zbulon edhe dobësitë e rendit tonë ndërkombëtar dhe pabarazitë sistematike të botës sonë. Na mbeten edhe vetëm dhjetë vjet deri në realizimin e Agjendës 2030 dhe Marrëveshjes së Parisit për Klimën. Që t’i arrijmë Qëllimet për zhvillim të qëndrueshëm ne duhet t’i lehtësojmë, njëkohësisht, pasojat ekonomike dhe sociale nga kjo pandemi. Kurse këtë mund ta arrijmë vetëm nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar dhe solidaritetit global dhe na nevojitet që Kombet e Bashkuara të jenë të fuqishme dhe efektive, të reformuara dhe të përshtatura me realitetin e ri”, tha Pendarovski.

Më tej Pendarovski theksoi për fitimet dhe sfidat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Nga pavarësia e saj dhe deri më sot, Republika e Maqedonisë së Veriut ka dëshmuar edhe për fitimet dhe për sfidat e Kombeve të Bashkuara. Nga përdorues të misionit të parë parandalues – UNPREDEP, edhe vetë u bëmë kontribuues në shumë misione paqësore. Falë Kombeve të Bashkuara zgjidhëm një kontest shumë të komplikuar i cila e ka ngadalësuar integrimin tonë në rendin ndërkombëtar. Ne do të vazhdojmë t’i përmbushim në frymën e multilateralizmit obligimet ndërkombëtare dhe ta mbështesim punën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe të agjencive të saj të specializuara. Është e qartë se vetëm nëse investojmë në organizatën botërore do të arrijmë të ndërtojmë një botë me dinjitet”, tha Pendarovski.

Sesioni i 75-të i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, i cili u jep shteteve anëtare mundësinë për të riafirmuar angazhimin e tyre për multilateralizmin, hapet sot më 22 shtator në New York. Ai do të zhvillohet deri të shtunën, 26 shtator dhe të martën, 29 shtator. Për shkak të pandemisë COVID-19, fjalimet këtë vit do të regjistrohen paraprakisht, me disa delegatë që mbajnë deklarata të drejtpërdrejta në sallën e Asamblesë së Përgjithshme në emër të kreut të tyre të shtetit ose Qeverisë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit