Për 4 muaj 19 turkmenë, viktima të atentateve në Kirkuk

Mos i humb

Në qytetin Kirkuk të Irakut gjatë kohëve të fundit po kryhen atentate ndaj turkmenëve. Gjatë 4 muajve të fundit në Kirkuk kanë humbur jetën 19 turkmenë si pasojë e sulmeve të armatosura.

Që nga 16 tetori i vitit 2017 e deri më tani janë kryer sulme të ndryshme të armatosura ndaj turkmenëve në Kirkuk, ku ka depozita të pasura të naftës.

Sulmet në formë “atentati” dhe ajo ku shumica e këtyre sulmeve kanë mbetur si “vrasje të pazgjidhura” ka filluar t’i shqetësojë të gjithë turkmenët në këtë qytet.

Në objektiv të sulmeve janë turkmenët me prapavija të ndryshme sociale, duke filluar nga politikanët dhe akademikët.

Kryetari i Shoqatës së të Drejtave të Njeriut në Irak, Neshet Beyatli në një deklaratë për AA tha se pas tërheqjes nga qyteti të Forcave Peshmerga të lidhura me Administratën Rajonale Kurde të Irakut (ARK) më 16 tetor ka një rritje shqetësuese në numrin e personave që kanë humbur jetën në atentatet ndaj tyre.

Beyatli thotë se për shkak të mos ndriçimit të sulmeve, turkmenët tanimë po dyshojnë nga të gjithë. Ai shtoi se edhe pse ka disa persona të kapur pas 19 atentatëve të kryera, shumica e vrasjeve kanë mbetur “të pazgjidhura” dhe nuk është gjetur autori i tyre.

– “Elmas planifikonte të bëhej zv/guvernator”

Viktima e fundit e sulmeve të armatosura ndaj turkmenëve në Kirkuk është akademiku nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Kirkukut, Ali Elmas. Akademiku Elmas humbi jetën si pasojë e një sulmi të armatosur gjatë ditës së martë, përderisa ndodhej në automjetin e tij.

Miku i ngushtë i Elmasit, Muhammed Gökkaya në një deklaratë për AA tha se akademiku i ri Elmas ishte një person aktiv dhe i cili dëshironte t’i shërbente popullit.

Duke bërë të ditur se Elmas ka 2 fëmijë dhe se ishte një nga intelektualët e shquar në mesin e turkmenëve, Gökkaya tha se “Pas zhvillimeve të fundit në Kirkuk, ai planifikonte të bëhej zv/guvernator. Ai kishte një qëndrim të afërt edhe ndaj Frontit Turkmen të Irakut (ITC). Por, për fat të keq organizatat terroriste nuk lejojnë që turkmenët të vijnë në pozita të rëndësishme në Kirkuk”.

– “Prapa atentateve qëndron “Dora e zezë'”

Politikanët turkmenë në Irak thonë se pas atentateve ndaj tyre qëndron “Dora e zezë” por shprehin mendimin se nuk është e drejtë akuza e drejtpërdrejt ndaj një pale.

Presidenti i ITC-së, Ershet Salihi thotë se këto që po ndodhin në Kirkuk burojnë nga grindjet para zgjedhjeve të përgjithshme mes ARK-së dhe qeverisë qendrore.

Duke folur për atentatet kundër turkmenëve në Kirkuk, Salihi në një prononcim për AA tha se “Po bëhen plane për atentate për frenimin e turkmenëve që të mos marin pjesë në zgjedhje. Jemi të shqetësuar nga rritja e këtyre incidenteve deri në zgjedhje”.

Salihi tha se gjatë kohëve të fundit ka një afrim mes qeverisë qendrore të Irakut dhe Bashkimit Patriotik të Kurdistanit (KYB) i cili mban dominimin ndaj kurdëve të Kirkukut. Sipas tij, kjo është shndërruar në një “ujdi zgjedhore” dhe se turkmenët janë të shqetësuar për partneritetet e reja që do të krijohen me formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve.

– “Dëshirojnë të djegin fitilin e përplasjeve etnike”

Ndërsa deputeti i ITC-së në Erbil Aydın Maruf thotë se “Pas atentateve ndaj turkmenëve janë ata të cilët dëshirojnë të djegin fitilin e përplasjeve etnike në rajon”.

Maruf nënvizoi se turkmenët po merren në objektiv për shkak se janë të privuar nga forca ushtarake dhe se nuk janë në gjendje të mbrojnë veten e tyre.

Duke thënë se pas 16 tetorit në Kirkuk ka ndodhur një problem serioz i sigurisë, Maruf thotë se “Përgjegjës për këto atentate është qeveria qendrore e Irakut. Ndërsa para kësaj përgjegjës janë grupet kurde”.

– “Në objektiv janë ata që mbrojnë identitetin turkmen”

Kryetari i Përgjithshëm i Partisë Turkmene për Zhvillim, Muhammed Ilhanli tha se incidentet e tilla do të vazhdojnë të ndodhin përderisa turkmenët nuk ofrojnë siguri në rajonet që u takojnë atyre.

Ai vuri në dukje se ata të cilët duan të mbrojnë identitetin turkmen në Kirkuk dhe Telafer bëhen objektivë të sulmeve. Ilhanli pretendon se sidomos partitë shiite dëshirojnë të rrisin ndikimin e tyre në rajonet në fjalë.

“Në objektivë janë njerëzit tanë nacionalistë që e mbrojnë identitetin turkmen. Ata dëshirojnë t’i frikësojnë turkmenët dhe t’i dobësojnë pozitat e tyre para zgjedhjeve. Për momentin në Kirkuk dhe në rajonet tjera grupet e milicisë ofrojnë të ashtuquajturën siguri, por këtu askush nuk mund të ofrojë siguri përveç shtetit. Kjo duhet të përmirësohet në mënyrë urgjente dhe duhet të ofrohet siguri për turkmenët”, tha Ilhanli./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit