Nënkomisioni “Për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësorë dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga radhët e avokatëve” përzgjodhi sot me anë të shortit kandidatët për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga radhët e avokatëve.
Në drejtimin e kryetares Klotilda Bushka u zhvillua mbledhja e radhës së nënkomisionit “Për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësorë dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga radhët e avokatëve”.
Komisioni zhvilloi seancat dëgjimore me kandidatët e kualifikuar për plotësimin e vakancave për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësorë dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, nga radhët e avokatëve.
Kandidatët: Eris Hysi, Erind Mërkuri, Erind Gërmenji, Albens Tabaku, Artan Reçi, Bledar Bajri dhe Saimir Kola paraqitën përpara nënkomisionit eksperiencën e tyre profesionale, vizionin dhe platformat e tyre kandiduese, si dhe iu përgjigjën pyetjeve të deputetëve. Kandidati Klodian Gjermeni nuk mori pjesë në dëgjesë, për arsye shëndetësore.
Pas dëgjesave, Bushka hodhi në votim secilin prej kandidatëve të kualifikuar. Deputeti Gazment Bardhi e vlerësoi procesin dhe vlerësimin e kandidatëve si të pambështetur në ligjin për organet e qeverisjes së organeve të drejtësisë dhe deklaroi se nuk do të merrnin pjesë në votim, ndërsa Bushka argumentoi se procesi për përzgjedhjen ka qenë i rregullt dhe konform Kushtetutës.
Për shkak se asnjë prej kandidatëve nuk arriti të marrë numrin e votave të nevojshme, procedura vijoi me përzgjedhjen me short, nga ku u përzgjodhën Artan Reçi dhe Albenc Tabaku për KLGJ-në; si dhe Saimir Kola dhe Erind Mërkuri për KLP-në.
Në përfundim të mbledhjes, Bushka sqaroi se katër kandidaturat do t’i kalojnë për shqyrtim seancës plenare.


