Më 27 mars, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku u rekomandua që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Raporti u miratua me 31 vota për, katër kundër dhe një abstenim. Zyrtarët e tjerë të Serbisë, shtetit që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe kundërshton anëtarësimin e shtetit në organizatat ndërkombëtare, e kanë kritikuar vendimin e Komitetit.

Më 22 mars presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kishte njoftuar për mundësinë e tërheqjes së Serbisë nga Këshilli i Evropës nëse në këtë organizatë do të pranohej Kosova. Ideja e Vuçiçit është përkrahur nga ish-kryeministrja, tani kryetarja e Parlamentit serb, Ana Bërnabiç. Kosova ka aplikuar në majin e vitit 2022 për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Anëtarësimi i Prishtinës është riaktualizuar në javët e fundit, pasi, me kërkesën e Qeverisë së Kosovës drejtuar Agjencisë Kadastrale për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, është përmbushur njëri nga kushtet kryesore për anëtarësim.

Këshilli i Evropës është organizatë lidere në Evropë në fushën e të drejtave të njeriut.

Pjesë e tij janë 46 shtete, përfshirë 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e rajonit. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut – me seli në Strasburg, Francë – bën monitorimin e zbatimit të Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut./REL