Pezullohen lutjet në Al-Aksa për shkak të koronavirusit

Mos i humb

Në përpjekje për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19), Këshilli Vakëfeve Islame në Kuds ka njoftuar mbrëmë se janë pezulluar lutjet dhe falja e namazit në kompleksin e xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të okupuar, (AA).

Këshilli tha se vendimi është arritur pas një takimi urgjent dhe ka hyrë në fuqi duke filluar nga dita e sotme.

“Pezullimi është për një periudhë të përkohshme, ndërsa të gjithë punonjësit dhe rojet vazhdojnë të paraqiten në punë dhe të kryejnë aktivitetet e tyre si zakonisht. Ezani në xhaminë Al-Aksa vazhdon të thirret në çdo kohë dhe si zakonisht”, thuhet në kumtesën e këshillit.

Më tej theksohet se vendimi është marrë me qëllim të mbrojtjes së jetës dhe shëndetit të adhuruesve.

Për muslimanët, Al-Aksa përfaqëson faltoren e tretë më të rëndësishme, kurse hebrenjtë pretedojnë se në këtë vend dikur kanë ekzistuar dy tempuj hebrenj.

Izraeli e pushtoi Kudsin Lindor, ku edhe gjendet kompleksi i xhamisë Al-Aksa, gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967. Izraeli gjithashtu aneksoi gjithë qytetin në vitin 1980, një lëvizje që asnjëherë nuk u njoh nga komuniteti ndërkombëtar.

Ndërkohë, Izraeli mbrëmë raportoi 62 raste të reja të koronavirusit, duke e çuar në 945 numrin e përgjithshëm të personave të infektuar.

Në një kumtesë të Ministrisë së Shëndetësisë së Izraelit thuhet se 20 pacientë janë në gjendje kritike, ndërsa 37 janë shëruar. Të premten Izraeli konfirmoi rastin e parë të vdekjes nga COVID-19.

Ministrja e Shëndetësisë së Palestinës, Mai al-Kaila, tha se katër raste të reja janë regjistruar në qytetet e Bregut Perëndimor Ramallah dhe El Halil (Hebron), duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në territorin e okupuar në 52, përfshirë 17 të shëruar.

Dy rastet e para të koronavirusit u raportuan dje edhe në Rripin e Gazës, kur dy udhëtarë që të enjten u kthyen nga Pakistani, njoftuan se janë diagnostifikuar me koronavirus.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit