Policia Rrugore ka vijuar kontrollet e forta në terren duke gjobitur mijëra shoferë e pezulluar dhjetëra patenta.
Zyrtarisht mësohet se gjatë 48 orëve të fundit, në të gjithë vendin, 31 drejtues mjetesh në pranga, 16 vetëm në Tiranë, 186 patenta të pezulluara dhe 4 624 masa administrative të vendosura për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.
Me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë, disiplinimin e trafikut rrugor dhe parandalimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor që bëhen burim i ngjarjeve rrugore, evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të automjeteve që drejtojnë mjetet në ndikimin e alkoolit apo në gjendje të dehur, si dhe për parandalimin e shpejtësisë tej normave të lejuara, Policia Rrugore në zbatim të planit operacion “Tispol”, zhvilloi kontrolle të organizuara në të gjithë vendin, duke përdorur mjetet speciale për kontroll, si dragera e radarë.
Kontrollet të përqendruara në të gjitha rrugët me risk, për kontrollin dhe ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve, të cilët drejtojnë mjetet nën efektin e alkoolit apo të pa pajisur me leje drejtimi, si dhe për mjetet që ecin me shpejtësi tej normave të lejuara apo bëjnë gara shpejtësie.
Kontroll me shërbime të kombinuara është ushtruar edhe për evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të automjeteve që përdorin celularin gjatë drejtimit të automjeteve, e atyre që nuk përdorin rripin e sigurimit apo kaskën mbrojtëse, si dhe atyre që kryejnë parakalime të gabuara dhe manovra të rrezikshme në rrugë.
Gjatë 48 orëve që u zhvillua operacioni “Tispol”, në të gjithë vendin u arrestuan 31 drejtues mjetesh, nga këta 18 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 13 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Duke përdorur aparatet drager gjatë 48 orëve janë evidentuar dhe u është pezulluar leja e drejtimit 74 drejtuesve të mjeteve, të cilët drejtonin mjetin nën efektin e alkoolit. Gjithashtu nga kontrollet parandaluese, u konstatuan me radar 76 drejtues mjetesh, të cilët qarkullonin me shpejtësi që varionte nga 140 km/h deri në 174 km/h.
Janë pezulluar dhe dërguar në OASH edhe 36 drejtues mjetesh, për shkelje të tjera që parashikohen nga Kodi Rrugor, me masë ndëshkimi pezullim patente. Janë vendosur 646 masa për përdorim celulari gjatë drejtimit të mjetit, të cilat evidentuar nga shërbimet e kombinuara me punonjës policie civilë.
321 masa për mospërdorim të rripit të sigurimit, 578 për parakalime të gabuara, 87 për mosvendosje të kaskës mbrojtës, 11 për gara shpejtësie, ndërsa pjesa tjetër prej 2 981 masash administrative janë vendosur për parkime të gabuara e shkelje të tjera.
Policia Rrugore, nisur nga konstatimet e bëra gjatë operacionit, nga dinamika e aksidenteve rrugore, si dhe nga shqetësimet e adresuara nga ana e qytetarëve do vijojë kontrollet e shtuara në të gjitha ditët e javës, për mjetet e transportit publik (kryesisht për nxënësit) dhe linjave urbane e interurbane.
Policia Rrugore kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të automjeteve dhe të pasagjerëve që qarkullojnë me automjetet që i nënshtrohen kontrollit, pasi qëllimi i vetëm i Policisë Rrugore është siguria e jetës së qytetarëve.
Falënderojmë qytetarët që çdo ditë e më shumë denoncojnë shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor e çdo paligjshmëri tjetër dhe fton gjithë qytetarët që të kontribuojnë duke denoncuar në Komisariatin Dixhital dhe 112 çdo rast të paligjshmërisë.