Në një reagim në Facebook, Rama bashkangjitur një fotoje, uron Kosovën për 16-vjetorin e saj si shtet i pavarur.
Kryetari i partisë së Lirisë Ilir Meta ka uruar ditën e pavarësisë së Kosovës.
Edhe ish-kryeministri Sali Berisha ka uruar për 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Lulzim Basha uron Kosovën në 16-vjetorin e Pavarësisë
Mesazhi i plote
Gëzuar Pavarësinë Kosovë!
17 shkurti i vitit 2008 është padyshim një nga ngjarjet më të rëndësishme për shqiptarët që kurorëzon sakrificën shekullore të gjysmës së kombit për liri dhe pavarësi.
Në këtë ditë të çmuar kujtojmë me nderim dhe mirënjohje të thellë kombëtare komandantin legjendar të UÇK Adem Jasharin, arkitektin e Pavarësisë presidentin Ibrahim Rugova dhe mijëra bij e bija të Kosovës që sakrifikuan jetën e tyre për në altarin e lirisë së Kosovës.
Jemi krenarë për zhvillimin dhe progresin që Kosova ka arritur në këto 16 vite. Ajo sot ka ende sfida përpara, por jam i bindur se me vendosmërinë, përkushtimin dhe pjekurinë e lidershipit politik të Kosovës në bashkëpunim dhe me mbështetjen e partnerëve strategjikë, SHBA, BE, Britanisë së Madhe, do t’ia dalë me sukses për të ndërtuar një shtet të fortë, të zhvilluar dhe të integruar në institucionet ndërkombëtare dhe euroatlantike.
Kjo është një ditë shumë e veçantë edhe për mua personalisht dhe atë pjesë të familjes sime që si mijëra të tjera u dëbuan nga trojet e tyre. Jam i lumtur për çdo ditë që i’a kam dedikuar çështjes së Kosovës dhe falenderoj Zotin që ma ka dhënë mundësinë për ta bërë këtë edhe si një amanet i përcjellë brez pas brezi, sikundër sa të kem forcë dhe mundësi do të jem në krah të Kosovës për të ndihmuar në suksesin e saj.
Gëzuar Kosovë e shtrenjtë! Gëzuar shqiptarë kudo në botë!
Kryetarja e parlamentit, Lindita Nikolla shkruan Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë, ndërsa thekson se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është rruga e vetme drejt paqes.
“Kosova është një prioritet kombëtar i Shqipërisë. Kuvendi, institucionet e vendit dhe gjithë qytetarët janë në krah të popullit dhe institucioneve të Kosovës në përballimin e sfidave të zhvillimit dhe integrimeve euroatlantike, të cilat arrihen në koordinim dhe me mbështetjen e aleatëve të mëdhenj, ShBA dhe BE. Shqipëria mbështet integrimin e Kosovës në NATO, anëtarësimin në Këshillin e Europës dhe në Kartën e Adriatikut, A5. Me mbështetjen e ShBA dhe BE, aleatëve strategjik të kombit shqiptar, e ardhmja evropiane e Kosovës është e sigurt. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga BE, është rruga e vetme drejt paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon”, shprehet ajo.
Sot bëhen 16 vite nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.
Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.
Ligjshmëria e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës për një kohë ka qenë temë e diskutueshme. Serbia duke kundërshtuar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës kërkonte vlerësimin e vlefshmërisë ndërkombëtare dhe mbështetje për pozicionin e saj, gjoja se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte e paligjshme. Në vazhdën e kësaj ecurie, në tetor të vitit 2008, Serbia kërkoi një opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë përmes një Vendimi Këshillëdhënës rikonfirmoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar.


