Kancelari gjerman Olaf Scholz ka paralajmëruar kundër zbutjes së angazhimit të aleancës së NATO-s për mbrojtjen e përbashkët, në komentet gjatë ditës së dytë të Konferencës së Sigurisë në Mynih.
”Më lejoni gjithashtu ta bëj të qartë se nga çdo relativizim i garancisë së NATO-s për ndihmën reciproke do të përfitojë vetëm ata që, si Putini, duan të na dobësojnë”, tha Scholz.
Ai reagoi qartë ndaj deklaratave të bëra nga ish-presidenti amerikan dhe kandidati aktual Donald Trump, i cili e kishte bërë të qartë gjatë një paraqitje në fushatën zgjedhore se nuk do t’u jepte mbështetje amerikane aleatëve me shpenzime të ulëta të mbrojtjes në rast të një sulmi rus.
Scholz tha në Mynih se pjesë të konsiderueshme të forcave të armatosura ruse ishin të paprekura pavarësisht humbjeve të mëdha të tyre.
“Rusia ka përgatitur ushtrinë e saj për këtë luftë për shumë vite dhe ka zhvilluar sisteme të reja, të rrezikshme të armëve në të gjitha nivelet. Ekonomia ruse ka kohë që punon në gjendje lufte”, tha Scholz.
“Putini praktikisht ka vënë nën kontrollin e tij ekonominë, arsimin, shkencën dhe kulturën në Rusi. Kushdo që ngrihet për lirinë dhe demokracinë duhet të ketë frikë për jetën e tij”, tha Scholz.
”Këtë e tregon edhe lajmi tronditës dhe i egër për vdekjen e aktivistit opozitar Alexei Navalny”, shtoi ai.


