“Popujt e Ballkanit duhet të falin njëri-tjetrin për të ardhmen”

Mos i humb

Senatori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Ron Johnson, deklaroi dje në Beograd se nga popujt e Ballkanit nuk kërkon që të harrojnë të kaluarën, por të falin njëri-tjetrin për hir të së ardhmes.

“Të gjithë duhet të shikojmë në të ardhmen. Askush nuk do të harrojë të kaluarën. Por kërkoj nga të gjithë popujt në rajon që të tentojnë të falin për të pasur një të ardhme më të mirë”, tha Johnson pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Ai tha se çdo marrëveshje duhet të ketë ide për të ardhme më të mirë për të gjithë popujt që jetojnë në Ballkanin Perëndimor.

Johnson shtoi se në Prishtinë do të dërgojë porosinë se “durimi dhe fleksibiliteti janë ato që do të ndihmojnë të ecim përpara”.

Ai shtoi se ngritja e flamurit serb para Shtëpisë së Bardhë para 100 viteve tregon se Serbia është e rëndësishme për paqen rajonale, por edhe botërore dhe sot është i bindur se populli serb dëshiron paqe dhe stabilitet për të gjithë njerëzit në rajon.

Vuçiç tha se me senatorin Johnson ka biseduar për katër tema, marrëdhëniet bilaterale mes dy shteteve, çështja e normalizimit të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, procesi i integrimit evropian dhe rajoni.

Tema e cila iu kushtua më shumë kohë në konferencën e shtypit ishte Kosova, ndërsa Vuçiç tha se SHBA-të dhe Serbia kanë pikëpamje të ndryshme meqë SHBA-të kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, ndërsa Serbia jo.

Ai tha se Serbia është e hapur për bisedime dhe e gatshme për zgjidhje me kompromis, porse, siç tha, për kompromis nevojiten dy palë.

“I luta SHBA-të, si vend që ka pasur ndikim të madh në krijimin e asaj që shqiptarët e Kosovës dhe shumë të tjerë e quajnë pavarësia e Kosovës, që neve të na ndihmojnë në stabilizimin e rajonit, duke u kërkuar shqiptarëve një zgjidhje më fleksibile që do të përbënte një kompromis”, tha Vuçiç.

Ai shtoi se Beogradi dhe Prishtina doemos duhet të gjejnë zgjidhje dhe se një produkt i rëndësishëm i kësaj zgjidhjeje do të ishte të qetësohen marrëdhëniet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve si dy popujt më të mëdhenj në Ballkan për një periudhë të gjatë dhe të parandalohet largimi i të rinjve nga të dy vendet.

“Të sjellim një zgjidhje e cila do të jetë e mirë për fëmijët tanë dhe të ardhmen, e që Serbia mos të jetë e poshtëruar”, tha Vuçiç.

Ai shtoi se lajm i mirë është se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë paqe dhe stabilitet në rajon dhe tha se me senatorin bisedoi për vizitën në Zagreb.

Vuçiç tha se me Johnson ka biseduar për Bosnjë e Hercegovinën duke u shprehur se Serbia mbështet integritetin territorial të këtij shteti dhe integritetin e Republika Sërpska në kuadër të BeH-së.

Ai tha se Serbia dhe SHBA-të kanë shkëmbim ekonomik prej 560 milionë dollarë, dhe se të dyja palët presin që shkëmbimi të jetë në nivel më të lartë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit