Presidenti kinez synon ta riformatojë rendin global sipas vizionit të tij

Mos i humb

A dëshiron Xi Jinping që njerëzit ta kenë frikë apo ta duan? Përgjigja ndaj kësaj pyetje është shumë thelbësore. Ajo që dëshiron udhëheqësi i Kinës nga bota, është ta ndryshojë atë në gjithçka që mundet, nga mënyra se si ne përballemi me ndryshimet klimatike deri tek e ardhmja e teknologjisë, edhe nëse bota do të zhytej në një epokë tjetër të konkurrencës midis superfuqive.

Vetë Xi nuk jep një përgjigje të qartë mbi këtë pyetje. Për shembull, marrim fjalimin e tij në korrik me rastin e 100-vjetorit të themelimit të Partisë Komuniste Kineze. Xi doli në skenë i veshur me një kostum si të Maos, duke folur me një retorikë të zjarrtë para një turme ndjekësish entuziastë.

Ata duartrokisnin gjatë kohës që ai vinte në dukje arritjet e shumta të Kinës:mbi rritjen e

saj ekonomike që e ndryshoi tokën, zbutjen e varfërisë, rindërtimin e fuqisë së vendit. Por turma shpërtheu në brohorima kur Xi bëri ​​një paralajmërim të fortë ndaj botës:Fuqitë e huaja që duan ta dëmtojnë Kinën, “do të thyejnë kokën e tyre dhe do të derdhin gjak në Murin e Madh prej çeliku të ndërtuar nga mishi dhe gjaku i 1.4 miliardë kinezëve”.

Në atë fjalim pati edhe paragrafë që tregonin një anë të ndryshme të presidentit kinez. Disa momente para kërcënimit,Xi premtoi një“zhvillim paqësor” të Kinës dhe bashkëpunim ndërkombëtar. Pas fjalimit, mediat zyrtare kineze e modifikuan gjuhën e presidentit gjatë përkthimit në gjuhët e huaja, duke këmbëngulur se Xi nuk kishte ndërmend të ishte luftarak, dhe se perëndimorët kishin keqkuptuar atë që ai donte të përcillte.

Por ashtu si fjalimi i tij, kuptimi i vërtetë i axhendës së Xi mund të jetë i vështirë për t’u dalluar dhe është plot kontradikta. Ai dëshiron te ketë një rol më të madh në institucionet ndërkombëtare, por duket se i minon ato. E përkrah globalizimin, por pastaj ndjek politika izoluese. Dëshiron të fitojë zemrat dhe mendjet e njerëzve për kauzën e Kinës, por më pas angazhohet në akte ngacmuese me vende të ndryshme.

Një nga arritjet e mëdha të SHBA-së dhe aleatëve të saj, ishte krijimi i një sistemi botëror,

në të cilin demokracia liberale cilësohet si forma e vetme e qeverisjes legjitime. Si një autokrat krenar, Xi nuk mund të përshtatet kurrë me rendin global të liderëve demokratë.

Ndaj ai ka adoptuar një ambicie të ndryshme, jo thjesht për të luajtur një rol më të madh në skenën globale, por për ta ndryshuar vetë skenën. “Kinezët po përpiqen që ta udhëheqin reformën globale të qeverisjes, dhe kjo do të thotë futje e normave autokratike në sistemin ndërkombëtar”- tha Bonnie Glaser, drejtoreshë e programit të Azisë në German Marshall Fund, një think-tank i njohur.

Vizioni i Xi për një sistem alternativ nuk është përshkruar plotësisht, dhe ai mund të mos ketë një të tillë. Të paktën tani për tani, ai nuk po punon për të përmbysur demokracitë, dhe për t’i zëvendësuar ato me qeveri revolucionare ose autokratike. Por është e qartë se ai dëshiron të krijojë një “lloj të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare”, bazuar në perceptimet e ndryshuara të asaj që përbën për të një qeverisje e mirë.

“Çdo vend është unik me historinë, kulturën dhe sistemin e vet shoqëror, dhe asnjë nuk është superior ndaj tjetrit. Ajo që alarmon është arroganca, paragjykimi dhe urrejtja; është përpjekja për të imponuar hierarkinë mbi civilizimin njerëzor apo për të imponuar historinë, kulturën dhe sistemin shoqëror të dikujt mbi të tjerët”- deklaroi presidenti kinez në një fjalim të janarit të këtij viti në Forumin Ekonomik Botëror.

Pra me fjalë të tjera:Mos na predikoni më për demokracinë, sistemi ynë është më i vlefshëm. Madje ekipi i Xi ka shkuar aq larg sa të përpiqet të ripërcaktojë se çfarë është demokracia. Ambasadori i Kinës në SHBA, Qin Gang, u përpoq kohët e fundit të pretendonte se vendi i tij ishte një demokraci, pasi qeveria kineze kujdeset për mirëqenien e qytetarëve të saj. Duke iu referuar Lincoln, Gang e karakterizoi regjimin komunist si një qeverisje “nga populli, tek populli, me popullin, për popullin”.

Interpretimi i Xi për qeverisjen e mirë, shtrihet edhe në sferën e diplomacisë ndërkombëtare, ku ai ka mbrojtur parimin e “mosndërhyrjes”. Zgjedhja e këtij termi nuk është pa ironi, pasi udhëheqësit e Kinës ndërhyjnë vazhdimisht në punët e brendshme të vendeve, pavarësisht se ata këmbëngulin për të kundërtën.

Pikëpamjet e Pekinit mbi “ndërhyrjen” janë të mishëruara në qasjen e tij ndaj Afganistanit. Shtetet e Bashkuara shpenzuan 20 vjet në përpjekje për të reformuar vendin e Azisë Qendrore, dhe tani nuk duan të njohin regjimin e talebanëve për shkak të parimeve ideologjike. Ndërkohë, Pekini nuk e pati problem të vendosë raporte me grupimin militant.

Dëshira e Xi Jingping për të ndryshuar rregullat ndërkombëtare, mund të shihet edhe në përpjekjet diplomatike të Pekinit në të gjithë botën. Për shembull, bankat e saj shtetërore, janë bërë huadhënëset më të mëdha për qeveritë në botën në zhvillim, kryesisht përmes Nismës së Brezit dhe Rrugës për ndërtimin e infrastrukturës.

Por huadhënësit kinezë nuk kanë punuar me institucionet dhe sistemet ekzistuese, siç është Klubi i Parisit, as për ta menaxhuar këtë huadhënie, as nuk ndjekin udhëzimet e tyre. Ndërkohë ana e kundërt e “mosndërhyrjes”, është se Pekini po bëhet gjithnjë e më intolerant ndaj përpjekjeve për të ndryshuar sjelljen e tij.

Diplomatët e Xi kanë tërhequr “vijat e kuqe” për shumicën e çështjeve shqetësuese për Uashingtonin, duke përfshirë statusin e Tajvanit (të cilin Pekini e konsideron si pjesë të Kinës), keqtrajtimin e pakicave ujgurëve në rajonin perëndimor të Xinjiangut, dhe goditjen e lëvizjes demokratike në Hong Kong.

Ndërkohë, presidenti kinez dëshiron që t’i diktojë botës kushtet e tij. Mesazhi është i qartë:Kina nuk do të ndryshojë më për të tjerët, janë të tjerët ata që duhet të ndryshojnë për Kinën. “Ne nuk do të pranojmë predikime nga ata që mendojnë se kanë të drejtë të na japin leksione”- deklaroi Xi në fjalimin e tij të korrikut.

Por në vend se ta bëjnë Kinën më të sigurt, politikat e Xi duket se po nxisin kundërshtimet,

të cilave ai u frikësohet shumë. QUAD-një partneritet i rajonit të Paqësorit që përfshin Australinë, Indinë, Japoninë dhe Shtetet e Bashkuara-po formësohet si një koalicion anti-Kinë.

Një pakt i ri mbrojtjeje midis Australisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA do të forcojë aftësitë detare të australianëve, qartazi për t’iu kundërvënë ambicjeve të Kinës. E megjithatë, deri më tani Xi nuk e ka rivlerësuar politikën e tij të jashtme. Kjo po ndodh ndoshta sepse këtë gjë nuk e lejojnë problemet e brendshme.

Tek e fundit, shumica e axhendës së tij jashtë shtetit, është rezultat i pozitës së tij në shtëpi. Xi ka ndryshuar qeverisjen e Kinës, po aq sa marrëdhëniet e jashtme të vendit. Ai po zbaton një qasje për ta bërë Kinën sërish të madhe, për të arritur atë që ai e quan “Ëndrra Kineze”, një premtim i mjegullt për përtëritjen kombëtare.

Por rezultati është një tjetër paradoks i Xi Jinping:Ambicia gjithnjë e më e madhe në skenën botërore po e bën Xi të ndihet më i prekshëm në shtëpi. Në fund, ajo që dëshiron Xi mund të ketë më pak rëndësi, sesa ajo që është në gjendje të arrijë, dhe kjo do të varet nga fakti nëse do të jetë në gjendje të zgjidhë kontradiktat e shumta të qasjes së tij.

Ai duhet të vendosë nëse ka ndërmend të miqësohet me botën apo ta ngacmojë atë; të përqafojë integrimin apo mbrohet prej tij; të përfshijë Kinën në rendin global aktual apo të farkëtojë një vizion të ri për të.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit